Lëterm: BE nuk do të ishte e tëra pa Serbinë dhe Kosovën
Prishtinë, 23 prill - Kryeministri i dorëhequr i Belgjikës, Iv Lëterm, ka deklaruar se BE-ja i ka hapur dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato do të mbeten të hapura dhe nuk do të ketë afate të panevojshme
Në një intervistë për të përditshmen e Beogradit Veçernje novosti, Lëterm ka theksuar se perceptimi i lodhjes nga zgjerimi i BE-së është i gabuar dhe askush në Evropë nuk e vë në dyshim angazhimin që e kemi marrë në raport me vendet e Ballkanit Perendimor. Ato janë dhe do të mbesin partnerë tanë të ardhshëm brenda BE-së".
I pyetur sesi do të zgjidhet çështja e Kosovës në procesin e përafrimit të Serbisë drejt BE-së, Lëterm tha se edhe Serbia edhe Kosova kanë vokacion evropian, duke shtuar se për këtë janë dakord të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.
Aktualisht, edhe Beogradi edhe Prishtina po përgatiten për integrim në BE, ndonëse shkalla e integrimit të tyre në BE është e ndryshme, tha Lëterm.
Për Belgjikën, godina evropiane nuk do të ishte e tëra pa përfshirjen e Serbisë dhe Kosovës në BE. Si do ta realizojmë këtë dhe kur, askush nuk e di në këtë moment, është shprehur kryeministri i dorëhequr belg, vendi i të cilit së shpejti merr presidencën e radhës së BE-së.