LeMonde: Xhavit Haliti njëri prej sponsorëve të mafisë kosovare
Paris, 23 janar - Një tjetër shkrim negativ për Kosovën. Kësaj radhe është blogu i gazetës së njohur franceze, Le Monde që boton një shkrim për Xhavit Halitin, bazuar në një raport të shërbimit inteligjent të KFOR-it të vitit 2004, ku flet për natyrën e rrezikshme të Halitit, lidhjet e tij me SHIK-in, krimin dhe afera të tjera, shkruan Indeksonline.
Blogu Fytyra tjetër e Kosovës shpjegon se shërbimi inteligjent i KFOR-it ishte fokusuar shumë në aktivitetet e të fortëve të Kosovës, ndërsa Xhavit Haliti, ishte njëri prej tyre, si ish-themelues i UÇK-së dhe drejtues i lartë i PDK-së.
Sot është një biznesmen i fortë, anëtar i partisë së Hashim Thaçit, dhe anëtar i kryesisë së parlamentit, shkruan blogu.
Por, bazuar në këtë dokument, Xhavit Haliti i njohur si Zeka, ka edhe anën tjetër: njëri prej sponsorëve të mafisë kosovare, që gjithashtu ka një ndikim të madh në politikë. Dhe nuk është i vetmi për këtë rol të dyfishtë në elitën politike kosovare, e dominuar nga ish-liderë të UÇK-së dhe të shërbimeve të ndryshme sekrete.
Bashkësia ndërkombëtare, shkruan më tej gazeta, është informuar vazhdimisht edhe në detaje për anën e errët të të fortëve të UÇK-së. Së paku, janë zyrtarët e inteligjencës që nuk kanë kurrfarë dyshimi për aktivitetet e tyre ku shumica e liderëve të Kosovës janë të kyçur: të gjitha llojet e trafikimit, komplote, krim të organizuar të lidhur edhe me rajonin, reketim, frikësim likuidim të kundërshtarëve etj.
Shkrimi më tej hedh hije dyshime për vërtetësinë e provave të Dick Martyt se UÇK-ja ka trafikuar organe në 1999, por faktet e tjera që i lidh ata me krimin e pasluftës ekzistojnë.
Nëse jemi për ti besuar raportit të shërbimit inteligjent të KFOR-it në vitin 2004 (informata që janë përfshirë edhe në një analizë tjetër të shërbimit gjerman muaj më vonë), Haliti shfaqet i ndërlidhur me shumë rrugë si Zvicër, Prishtinë e Shqipëri, shkruan blogu.
Në raportin e inteligjencës së KFOR-it, thuhet se është i lidhur me kafe Dubrovnik (Dardania, Prishtinë); Hotel Theranda, Prizren. I lidhur me grupet ku i takon shpesh në restorantin Thana, ndërmjet Pejës dhe Prishtinës. Anëtar i bordit të Petrol Company, njëri prej liderëve kryesor kriminal në Kosovë; ka shumë dyqane dhe restorante në Pejë; së fundi është raportuar se është anëtar i SHIK-ut.
Në këtë shkrim, të publikuar në blogun e gazetës Le Monde, ku botohen pjesë të raportit të KFOR-it, theksohet se Ka fjalë që thonë se ai kishte lidhje edhe me UDB-në (shërbimi sekret serb), ku i informoi ata për destinimin e armëve për FARK-un (fraksion ky i lidhur me Ibrahim Rugovën). Ai ishte i lidhur me frikësimin e anëtarëve të LDK-së përmes SHIK-ut. Thuhet të jetë një multi-milioner.
Fondi Vendlindja Thërret është menaxhuar pothuajse prej tij. I përfshirë shumë në prostitucion, trafkim armësh, drogë dhe gjithashtu me naftë. Është i lidhur me Fatos Nanon. Ai e mbështet financiarisht Hashim Thaçin dhe merret me financat e PDK-së, thuhet në raportet e KFOR-it të botuara në blogun e gazetës franceze.
Haliti mohon shkrimin e Le Monde
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka mohuar shkrimin e Le Monde se ai është i ndërlidhur me aktivitete kriminale në Kosovë. Xhavit Haliti, siç njihet me nofkën Zeka, i ka thënë KTV-së se nuk shqetësohet shumë për këto lloj shkrimesh, pasi janë të njëjtat që i ka dëgjuar që nga paslufta nga shërbimet sekrete serbe.
Jam rrugës për në Strasburg. Qëllimi i këtij shkrimi është për të ngritur mjegull para draftrezolutës së Dick Martyt në Këshillin e Evropës, ka thënë Haliti. Ai ka shtuar se nuk ka aksione nëpër kompani ashtu siç shkruan gazeta, dhe se gjithë pasurinë e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Ai ka mohuar të ketë lidhje me grupe kriminale ndërsa thotë se nuk ka arsye ti ketë ndihmuar financiarisht Hashim Thaçit sepse ai nuk ka nevojë. Pse ti ndihmoj Thaçit, ai nuk është në nevojë për ndihmën time. Unë asnjëherë nuk jam marr me financat e PDK-së. Do ta padisja gazetën por nuk mundem, pasi ai nuk është shkrim autorial, ka përfunduar Haliti.