18 Maj 2024

Lajçak: S’ka ndarje të Kosovës

Bruksel, 23 nëntor - Drejtori Ekzekutiv për Evropën dhe Azinë Qendrore në shërbimin evropian për punë të Jashtme, Miroslav Lajçak, ka thënë se në dialogun ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit është me rëndësi që të përfshihen më shumë çështje politike.

“Ky është kanali i parë dhe i vetëm i komunikimit të drejtpërdrejtë midis Beogradit dhe Prishtinës, dhe unë mendoj se është në interesin e të gjithëve që ta ruajnë dhe përforcojnë këtë kanal”, ka thënë Lajçak për Zërin e Amerikës, edicionin në gjuhën serbe.

Sipas tij, është e rëndësishme jo vetëm për Beogradin dhe Prishtinën, por edhe për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, “që ta dinë se ata mund të ulen në të njëjtën tryezë dhe të bisedojnë për çështjet të cilat, para se gjithash, janë të rëndësishme për jetën e përditshme të njerëzve, por që janë edhe të natyrës politike”.

“Do të doja që ky dialog të përforcohet dhe të përfshijë më shumë çështje politike, që të bëhet instrument i përhershëm për Serbinë dhe Kosovën për të diskutuar problemet ekzistuese”, shton Lajçak, sipas të cilit palët në negociata “kështu do ta njohin njeri-tjetrin, do të bisedojnë, do të gjejnë zgjidhje të përbashkëta dhe do të bëjnë kompromise”.

Ai beson se në kuadër të dialogut duhet diskutuar edhe mosmarrëveshjen në lidhje me pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës. Por, siç thotë ai, \"dialogu nuk është i mjaftueshëm për ta zgjidhur këtë problem”.

“Duhet një qëndrim i fuqishëm i Shteteve të bashkuara dhe Bashkimit Evropian me të cilin theksohet se barrikadat dhe çdo element tjetër që të shpie te ndarja de facto e veriut të Kosovës, është krejtësisht e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”.

I pyetur nëse pret që Serbia në dhjetor të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, Lajçak ka thënë se nuk do të prognozojë për vendimet e liderëve të Evropës, por se shtetet e BE-së “dëshirojnë të shohin zbatimin e obligimeve që Serbia i ka pranuar në dialogun me Prishtinën”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)