Lajčák rikonfirmon përkrahjen e Sllovakisë për proceset në Kosovë
Bratislavë, 14 nëntor- Pas vizitave në Berlin dhe Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron për një vizitë zyrtare në Sllovaki, me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm e Çështjeve Evropiane të Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák.
Gjatë ditës, ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim bilateral me zëvendëskryeministrin Lajčák, ku ka prezantuar progresin e gjithanshëm që po arrihet Kosovë.
Hoxhaj veçoi hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), si një të arritur shumë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, duke theksuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.
Në këtë kontekst, Hoxhaj ka falënderuar ministrin Lajčák për përkrahjen që shteti i tij po jep për perspektivën evropiane të Kosovës, përfshirë edhe hapjen e negociatave për MSA-në.
Ministri Hoxhaj ka theksuar rëndësinë e madhe që ka për Kosovën ky proces, si një marrëdhënie kontrakuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe një instrument për reformimin dhe ndërtimin e Kosovës evropiane.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm e Çështjeve Evropiane i Republikës së Sllovakisë, Miroslav Lajčák, e ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për progresin në Kosovë, hapjen e negociatave për MSA-në si dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.
Ministri Lajčák po ashtu ka rikonfirmuar përkrahjen e Sllovakisë për proceset në Kosovë, përfshirë edhe rrugën evropiane të Kosovës.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj dhe homologu Lajčák kanë biseduar edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar domosdoshmërinë e implementimit të plotë të marrëveshjeve të arritura.
Hoxhaj dhe Lajčák gjatë bisedës janë pajtuar edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Sllovakisë.
Ministri Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Bratislavë do të takohet edhe me nënkryetarin e Parlamentit të Sllovakisë, Ján Figeľ, dhe me personalitete të tjera të institucioneve sllovake.
Vizita zyrtare e ministrit Hoxhaj në Bratislavë është një hap i rëndësishëm në avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të Kosovës me Sllovakinë.