Kuvendi i Serbisë voton pro marrëveshjes me Kosovën
Beograd, 27 prill - Në seancën e veçantë të Kuvendit të Serbisë, në të njëjtën kohë me raportin e Qeverisë serbe për bisedimet Prishtinë - Beograd, 173 deputetë votuan pro marrëveshjes për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, 24 kundër, ndërsa pesë të tjerë abstenuan.
Miratimi i raportit edhe i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën erdhi pas një seance të mbushur me debate që zgjati mbi dhjetë orë.
Kryeministri serb Ivica Daçiç tha në parlament se marrëveshja e Brukselit është rast që Serbia të provojë në një mënyrë tjetër që të mbrojë interesat e veta kombëtare e shtetërore.
Ashtu siç paralajmëruan, kundër marrëveshjes kanë votuar deputetët e Partisë Demokratike të Serbisë, si dhe disa deputetë nga Kosova nga partitë tjera.
Marrëveshja midis Kosovës e Serbisë u arrit në raundin e dhjetë të bisedimeve në Bruksel.