Kuvajti dhe Kosova do të forcojnë bashkëpunimin
Prishtinë, 31 mars - Një delegacion i Grupit të Miqësisë në Parlamentin e Kuvajtit ka vizituar të enjten Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ku është pritur nga Ministri Enver Hoxhaj.
Pas takimit me këtë delegacion të udhëhequr nga Waleed Al-Tabtabae, Deputet dhe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Grupit Miqësisë Parlamentare të Kuvajtit, Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka shprehur vullnetin e institucioneve të shtetit të Kosovës për të vendosur raporte miqësore me Kuvajtin.
Ministri Hoxhaj ka thënë se Kosova dhe Kuvajti duhet të intensifikojnë format e bashkëpunimit, mes dy qeverive, dy parlamenteve por edhe mes qytetarëve të dy shteteve. Edhe përfaqësuesit e Parlamentit të Kuvajtit, kanë shprehur vullnetit e këtij shteti për vendosjen dhe forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me Kosovën.
Udhëheqësi i delegacionit, Deputeti i Parlamentit kuvajtian, Waleed Al-Tabtabae, ka thënë se shteti i tij do të shqyrtoj shumë shpejt njohjen formale të Republikës së Kosovës.
Poashtu, Al-Tabtabae ka shprehur vullnetin e institucioneve kuvajtiane që të lidhin dhe forcojnë bashkëpunimin e gjithanshëm me Kosovën.