Kusari Lila në Samitin Global të Gruas në Maleizi
Kuala Lumpur, 6 qershor - Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari - Lila po merr pjesë në Samitin Global të Gruas në Maleizi, e cila ka mbledh mbi 1000 delegacione nga 70 shtete të botës ku fokusi kryesor është strategjitë për të avancuar jetën ekonomike të grave.
Ministrja Kusari Lila mori pjesë në forumin ministror ku po marrin pjesë ministra të 13 shteteve, me temë Partneriteti Publik/Privat në përparimin e grave dhe femrave në progresin ekonomik në të cilën foli për pozitën e femrave në Kosovë, iniciativat që Qeveria e Kosovës po ndërmerr për gratë si dhe sfidat që kanë përpara femrat në Kosovë.
Roli i grave në ekonominë e shekullit 21-të duhet ende të definohet dhe të forcohet. Femrat ende nuk e kanë rolin të cilin e meritojnë, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë fakt.\"
\"Një shoqëri nuk mund të lëviz përpara nëse 50% e kapacitetit të saj mbetet prapa- theksoi ajo, duke shtuar se në Kosovë edhe pse më shumë se 50% e popullatës janë femra, vetëm 11% e bizneseve të regjistruara janë në pronësi të femrave. Kjo përqindje, sipas zëvendëskryeministres Kusari- Lila është e vogël krahasuar me ekonomitë e vendeve të BE-së, e cila varion nga 24-45%.
Në fjalimin e saj, zëvendëskryeministrja tha se Qeveria e Kosovës është duke punuar aktivisht për të përkrahur dhe për të ngritur numrin e femrave në biznes.
Kemi filluar përzgjedhjen e femrave më të suksesshme në ndërmarrësi duke promovuar bizneset e tyre por edhe duke i stimuluar financiarisht. Femrat në Kosovë ende nuk ushtrojnë të drejtën e tyre në trashëgimi, çka rrjedhimisht i lënë në disavantazh nëse duan qasje në kredi potencoi ajo.
Për të adresuar këto çështje, ministrja Kusari Lila tha se tani ka mekanizma siç janë: skema voucher e këshillimeve, skema e granteve për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme. Sipas saj mekanizëm shumë i rëndësishëm i fuqizimit të gruas në ekonomi është edhe themelimi i Dhomës Ekonomike të gruas në Kosovë.
Duhet ndihmuar femrat të prezantojnë suksesin e tyre në mënyrë që ky sukses të inspirojë femrat tjera të cilat do të punojnë për të pasur sukses. Jo për arsye se janë femra, por për vlerat të cilat ato i përfaqësojnë dhe për punën të cilën e bëjnë për suksesin e tyre tha ajo.
Në fjalimin e saj, para ministrave të shumë vendeve, ministrja Kusari Lila foli për paragjykimet me të cilat ballafaqohen femrat, e cila ndikon që femrat të jenë më prezente në sferën e edukimit, shëndetësisë, kulturës, ndërsa më pak në sferën e industrisë, mbrojtjes apo financave. Këto pozita mendohet të jenë të parapara për meshkujtë. Por duhet marrë sfidën dhe e kuptoj se duhet të jetë më e rëndë për ato që e kryejnë këtë punë në fillim, por njëhere kur të kryhet si duhet, do të hapet rruga për femrat tjera në të gjitha pozitat theksoi ajo.
Pas pjesëmarrjes në këtë forum, ministrja Mimoza Kusari Lila takoi homologun e saj nga Maleizia z.Mustapa Bin Mohamed me të cilin bisedoj për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik në mes të dyja vendeve.
Në këtë Samit po marrin pjesë 1,500 femra nga politika, minister, zëvendësministre, drejtore të korporatave dhe nga sfera e biznesit nga mbarë bota.
Nga Kosova pjesëmarrëse në këtë takim është Presidentja e Kosovës znj. Ahtifete Jahjaga, ndërsa pjesë e këtij samiti janë edhe zëvendës presidentja e Vietnamit, zonjat e para të Namibisë, Zambisë, Minstre nga: Franca, Polonia, Malajzia, Tunizia, Vietnami, Afrika e Jugut, Zelanda se Re, Filipinet, Sekretare të shtetit nga Polonia, Malajzia, Filipinet.