Kurti, mban ligjëratë për Kosovën në Norvegji
Drammen, Norvegji, 22 shtator - Deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, mbajti një ligjëratë për Kosovën në Universitetin Buskerud dhe Vestfold në Drammen të Norvegjisë. Programi kishte të bënte me të drejtat e njeriut, të kuptuarit multikulturor dhe menaxhimin e konflikteve.
Albin Kurti prezantoi këto tema në kontekstin e Kosovës. Fillimisht studentëve ai ua shpjegoi një histori të shkurtër të Kosovës nën Jugosllavi e Serbi deri te implodimi i Jugosllavisë dhe çlirimi nga Serbia, kurse më pas e sqaroi edhe situatën e pasluftës në Kosovë. Kurti, gjatë ligjërimit ishte kritik ndaj misioneve ndërkombëtare si UNMIK dhe EULEX, të cilët sipas tij, objektivin e vetëm e kanë ruajtjen e paqes, pa një interesim dhe plan konkret për drejtësi, demokraci dhe zhvillim në Kosovë. Protektorati ndërkombëtar në Kosovë po vazhdon, vetëm se akterët kanë ndryshuar nga UNIMIK-u në EULEX, nga OKB-ja në BE, theksoi Kurti.
Ai po ashtu diskutoi edhe për dialogun me Serbinë i cili ishte dhe është joparimor meqenëse Serbia nuk e ka asnjë kusht dhe negociohet vetëm për çështje të brendshme të Kosovës. Kurti sqaroi se Kosova ka nevojë për dialog demokratik dhe jo diplomatik, dialog të hapur në Kosovë për zhvillim dhe prej poshtë, e jo dialog të mbyllur në Bruksel për pajtim dhe prej lart.
Pas ligjëratës së tij, Kurti iu përgjigj pyetjeve të shumta të studentëve pjesëmarrës. Gjatë qëndrimit në Norvegji, ai mbajti një tubim edhe me bashkatdhetarët shqiptarë ku foli për situatën aktuale politike në Kosovë dhe programin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për mërgatën.