Kurti e Blinken pajtohen për komunikim të rregullt në funksion të paqes
Prishtinë, 26 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken janë pajtuar që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media pas bisedës telefonike që kreu i ekzekutivit kosovar ka pasur me Sekretarin Amerikan të Shtetit.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri e falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Republikën e Kosovës, si dhe e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit.
“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit.
Po ashtu, sipas njoftimit, ata kanë diskutuar për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte.