Kurti dhe Vuçiq takohen sot në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi
Bruksel, 15 qershor - Bashkimi Europian (BE) ka njoftuar se sot do të mbahet një takim i nivelit të lartë i Dialogut Kosovë - Serbi i cili do të zhvillohet në Bruksel.
Dialogu do të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, i cili mbështetet në këtë nga Përfaqësuesi Special i BE Miroslav Lajčák.
Në takim do të marrin pjesë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Dialogu i lehtësuar nga BE synon që palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura në mënyrë që Kosova dhe Serbia të përparojnë në rrugët e tyre Evropiane, të krijojnë mundësi të reja dhe të përmirësojnë jetën e njerëzve.
Një marrëveshje midis palëve sipas BE-se është e dobishme edhe për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë rajonit.