Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel
Bruksel, 2 maj - Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Borrell, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët duke filluar nga ora 18:00, derisa bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
"Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike", thuhet në njoftimin e BE-së.
Borrell do të bëjë një deklaratë për media në fund të takimit në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS), e cila do të transmetohet edhe drejtpërdrejtë nga faqja zyrtare Europe by Satellite.
Ndërkohë mbrëmë Kurti në Twitter nga Brukseli ka shkruar se përgatitja për negociata është komplekse dhe e thjeshtë. Sipas tij, komplekse sepse ka një mori informatash dhe detajesh, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të thjeshta dhe fisnike.
Ndryshe Miroslav Lajçak, emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, tha se takimi i ardhshëm i nivelit të lartë më 2 maj, do të jetë një takim veçanërisht i rëndësishëm”.