Kurti: Bandes fashiste, nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike
Bratisllavë, 31 maj - Gjatë një forum për sigurinë që po mbahet në Bratisllavë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave veriore nga zyrat e tyre, me gjithë kërkesat e diplomacisë perëndimore dhe protestat e grupeve serbe në veri, që u përshkuan me akte dhune ndaj forcave paqeruajtëse këtë javë.
“Kësaj bande fashiste, ne nuk ia dorëzojmë Republikën tonë demokratike. Nëse duan protestë paqësore me kërkesa për zgjedhje të parakohshme, e kanë një kryeministër që gjithë jetën ka qenë aktivist politik dhe është më se i gatshëm t'i dëgjojë dhe ndoshta edhe të pajtohet me ta”, tha kryeministri Kurti.
Tensionet në veri të Kosovës mbeten të larta dhe protestuesit kërkojnë largimin e kryetarëve që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga serbët si dhe largimin e njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat e komunave.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimorë e kanë fajësuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve, duke thënë se përdorimi i forcës për të futur në zyra kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe, dëmtoi përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha mbrëmë se "kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t'i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.
“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t'i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha zoti Kurti.
Ai theksoi ndërkaq se në çdo ndërtesë komunale në Kosovë janë nga disa deri dhjetëra policë në kohë normale dhe pret që kështu të ndodhë edhe në komunat veriore.
“Por përderisa është kjo turmë e dhunshme jashtë ndërtesave që kërcënon me sulme, që bënë grafite me shkronjën ‘Z’ duke treguar admirim për presidentin despotik (Vladimir) Putin dhe për agresionin rus në Ukrainë, e disa prej tyre duke qenë policë në policinë e xhandarmërinë serbe, ne duhet të kemi njësitë speciale në ndërtesat komunale”, tha kryeministri Kurti.