Kurteshi kërkoi anëtarësim në Komitetin Koordinues Ndërkombëtar
Gjenevë, 7 maj - Avokati i Popullit, Sami Kurteshi po merr pjesë në takimin vjetor të Komitetit Koordinues Ndërkombëtar (ICC) të Institucioneve Kombëtare për të Drejtat e Njeriut (IKDNj), në Gjenevë të Zvicrës.
Një ndër çështjet e parapara në agjendën e këtij takimi është edhe diskutimi për akreditimin e IAP-së në ICC.
Kurteshi, në sesionin e të hënës paraqiti dhe arsyetoi kërkesën formale për anëtarësim të Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës në këtë organizatë, e cila është në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e Komisariatit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara.
Në ditët e ardhshme, në takimet e grupeve regjionale të ICC për Evropë, Azi-Pacifik, Afrikë dhe Amerikë, do të diskutohen çështje të ndryshme për të drejtat e njeriut dhe format e angazhimit të IKDNj-ve në të ardhmen.
Në grupin Evropian (ECC) do të diskutohet për çështje të organizimit formal të sekretariatit me seli në Bruksel, për caktimin e formave, lartësisë dhe mënyrës së anëtarësisë për grupin Evropian, si dhe për çështje të angazhimit të IKDNj-ve si dhe identifikimit të temave në kuadër të orientimit strategjik të ECC dhe ICC.