09 Janar 2025

Kuçi: Angazhimi kundër diskriminimit, prioritet për Kosovën

Budvë, 19 mars - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, gjatë qëndrimit në Mal të Zi me ftesë të Qeverisë së këtij vendi, sot ka mbajtur fjalim në Konferencën “Bashkë kundër diskriminimit” në qytetin e Budvës.

Në adresimin para të pranishmëve, Zëvendëskryeministri Kuçi ka potencuar ecurinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili pasi ka qenë kohë të gjatë i diskriminuar dhe pas fitimit meritor të lirisë dhe pavarësisë, siç ka thënë ai, “një frikë e madhe e shoqërisë sonë, ka qenë ajo se një ditë ne mund të dëshironim t’i keqtrajtojmë të tjerët ashtu siç ne u keqtrajtuam për vite me radhë\".

\"Megjithatë, me udhëheqje të mirë, bashkëpunim të madh ndërkombëtar dhe vullnet të pastër njerëzor, Kosova ka ikur nga ajo që mund të ketë qenë një mallkim themelor i diskriminimit nga shumë grupe etnike që tani jetojnë në vendin tonë.\"

\"Prandaj, ne e kemi provuar gjatë historisë se njerëzit që kanë vuajtur nga diskriminimi për dekada të tëra, munden një ditë të bëhen partnerë të mëdhenj në luftën kundër diskriminimit dhe të shmangin hakmarrjen në baza të tilla”.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka shtuar se “Për shumë vite me radhë, ne kemi punuar në sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë pa dallim.

Qeveria e Republikës së Kosovës me vendosmëri ka deklaruar se, një nga angazhimet e saj kryesore ka qenë dhe do të jetë hartimi dhe zbatimi i legjislacionit dhe politikave anti-diskriminuese, e të cilat garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë për të gjithë qytetarët e saj pavarësisht nga mosha, gjinia, etnia, feja, raca, aftësisë së kufizuar, orientimi seksual -- në të gjitha fushat e jetës si në ekonomi, arsim, shëndetësi, banim dhe qasje në shërbime”.

Sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, Kosova ka miratuar Ligjin kundër Diskriminimit, i cili është i bazuar në parimet e trajtimit të barabartë dhe e ndalon diskriminimin direkt dhe indirekt kundër çdo personi mbi bazën e orientimit seksual.

Kosova tani ka një plan shumë gjithëpërfshirës për të luftuar diskriminimin dhe do të vazhdojë të promovojë dhe të punojë për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Ligji kundër Diskriminimit. Ligji, si dhe Kushtetuta gjithashtu ndajnë një angazhim dhe vullnet për të punuar në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe jo-diskriminimit për të gjitha grupet e ndryshme dhe komuniteteve, duke përfshirë këtu komunitetin LGBT.

Plani i veprimit i Qeverisë që tani është duke u hartuar ka adresuar të drejtat e komunitetit LGBT në një komponentë të veçantë, ndërsa tani jemi duke kaluar nëpër fushatat publike, takime dhe debate në promovimin e të drejtave dhe interesave të tyre, duke përfshirë këtu implementimin e Rekomandimit të Këshillit të Evropës (CM/Rec. (2010)5) mbi masat për të luftuar diskriminimin mbi baza të orientimit seksual apo identitetit gjinor.

Kjo konferencë po mbahet nën patronazhin e Kryeministrit të Malit të Zi, Igor Lukshiç dhe në të cilën morën pjesë zëvendëskryeministra dhe ministra nga shtetet e rajonit të Ballkanit dhe më gjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)