Kthehet ora për 60 minuta prapa
Prishtinë, 30 tetor - Sot të gjithë njërzit janë zgjuar një orë më vonë pasi që është rikthyer ora diellore dhe akrepat kanë lëvizuar 60 minuta prapa. Në orën 03.00 të natës, mes 29 dhe 30 tetorit ora shkoi 60 minuta pas duke u bërë 02.00.
Ndërkohë që në shumë shtete të botës tashmë po përllogariten se sa janë kilovatët e energjisë së kursyer, që prej 26 marsit 2011 kur hyri në funksionim ajo që njihet si ora legale.
Prej disa dekadash, për faktin se nga muaji prill deri në tetor dita zgjat më shumë dhe kështu kursehet më shumë energji elektrike, bëhet dhe ndryshimi i orës diellore me atë legale.
Ndërrimi i orës e ka fillesën kur Benjamin Franklin hodhi idenë e kohës që ndjek diellin, e në këtë mënyrë kursehet edhe energjia.
Në atë kohë ideja nuk ishte shumë e përhapur sepse kursimet ishin realisht të pakta ndaj dhe nuk pati përkrahje të fortë.
Një shekull më vonë, (viti 1907) teoria u hodh sërish nga britaniku William Willet dhe në 1916-tën në Britani u vendos lëvizja e akrepave një orë përpara gjatë muajve të verës.
Pas disa herësh ndërprerje me kalimin e viteve, ora diellore po zbatohet pa asnjë ndryshim që prej vitit 1966. kurse që nga fundi i viteve ′80 po aplikohet ndryshimi i orës të dielën e fundit të marsit dhe të tetorit të çdo viti.