Kthehet gjallëria në rrugët e Spanjës
Madrid, 2 maj - Ushtrimet në natyrë u lejuan për herë të parë pas 48 ditësh. Ministria e Shëndetësisë në Spanjë njoftoi të shtunën 276 vdekje të tjera nga koronavirusi dhe 1.147 infeksione të reja.
Të dy shifrat u ulën nga e premtja dhe ishin shumë më të ulta se kulmi në fillim të prillit. Në total, të paktën 25.100 njerëz kanë humbur jetën nga COVID-19 në Spanjë dhe janë konfirmuar më shumë se 216.500 raste.
Nga rastet e konfirmuara, 117.248 janë shëruar, me 2.572 të tjerë nga e premtja.
Nën njërën prej masave më të rrepta të bllokimit në botë që nga 14 marsi, Spanja ka arritur të vë në vijë kurbën e infeksioneve. Të premten, autoritetet shëndetësore mbyllën spitalin më të madh fushor të vendit.
Tani, qeveria ka filluar të lehtësojë masat e qëndrimit në shtëpi.
E shtuna ishte dita e parë pas shtatë javësh që njerëzit mund të dilnin jashtë për stërvitje.
Në mesin e banorëve të Spanjës që pritën me kanqësi vendimin dhe dolën rrugëve të qytetit ishte dhe aktori spanjoll Antonio Banderas.
"Në daljen time të parë u takova me shumë paparacë të cilët më afroheshin pa maska mbrojtëse duke u përpjekur për të më filmuar. Do të vazhdoj të rri në shtëpi", shkroi Banderas në rrjetet sociale.
Shumë parqe, shtigje dhe rrugë të qytetit që dikur ishin të ndaluara për shumicën, u mbushën plot me njerëz që përpiqeshin të ruanin distancën shoqërore dhe shijonin momentin e parë të lirisë.
Disa rrugë dhe shtigje ishin përplot, por nuk u raportuan incidente të mëdha të turmave të dendura. Policia ishte jashtë për mbikëqyrje.
Jo të gjithë lejohen të stërviten në të njëjtën kohë. Popullsia është e ndarë në tre grupe: të rritur, fëmijë dhe qytetarët e moshuar, secili me orare të veçanta.
Më 11 maj, rajone të Spanjës që konsiderohet të jenë të gatshme bazuar në kriteret shëndetësore dhe të infrastrukturës do të fillojnë me lehtësimin e mëtejshëm të masave të bllokimit me hapjen e disa aktiviteteve tregtare.