KS i OKB ka dështuar ta ruaj paqen dhe sigurinë ndërkombëtare
New York, 20 qershor - Organizata Amensty International e ka kritikuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se në mënyrë spektakulare ka dështuar ta ruaj paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Në deklaratën e sotme, të Ditën Botërore të Refugjatëve, ky grup me seli në Londër ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të veprojnë në mëynrë më të vendosur për mbrojtjen e civilëve.
AI tha se përgjigjet e vonuara ose joefektive të Këshillit të Sigurimit ndaj konflikteve në zhvillim në Siri, Irak, dhe në vendet e tjera, kanë lejuar që dhuna të shtohet dhe komunitete të panumërta të shkatërrohen.
Amnesty International e ka kritikuar Rusinë dhe Kinën, anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, për bllokimin e çfarëdo aksioni domethënës në Siri dhe për kontributin e tyre të dobët për krizën globale të refugjatëve.
Sipas këtij grupi, vendet në zhvillim po e bartin barrën kryesore të krizës, ndërsa Irani dhe Pakistani janë në mesin e vendeve me më së shumti refugjatë.