Kryeprokurorja e EULEX-it takon prokurorin serb për krime lufte
Beograd, 27 janar - Kryeprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Isabel Arnal, është takuar me prokurorin serb për krime lufte, Vladimir Vukçeviç, me të cilin ka diskutuar për hapat e përbashkët që do të ndërmerren për të dhënat e ofruara në raportin e Dik Martit.
Mediat serbe njoftojnë se takimi është mbajtur pas miratimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të rezolutës së hartuar nga senatori zviceran. Më parë, EULEX-i është shprehur se nuk do të nisë hetime për trafikim organesh derisa të ofrohen fakte, duke fshehur kështu detajet e shqyrtuara në takimin Arnal-Vukçeviç.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, deklaron se detajet e këtyre mbledhjeve duhet të mbeten konfidenciale për arsye objektive. Ai shton se përveç takimeve në Beograd, prokurorët e EULEX-it kanë zhvilluar takime edhe në Tiranë me homologët e tyre.
Për takimin me prokurorin serb për krime lufte, kryeprokurorja e EULEX-it nuk ka njoftuar as mediat e as kryeprokurorin e Kosovës, Ismet Kabashin. Këtë fakt e konfirmon për mediat kosovare edhe vetë Kabashi, i cili thotë se është në dijeni të takimit që Arnal ka zhvilluar me prokurorët shqiptarë, por jo për takimin e Beogradit.