Kryeparlamentarja e Zvicrës viziton Kosovën dhe Shqipërinë
Bernë, 29 mars - Një delegacion i Parlamentit Nacional të Zvicrës, i kryesuar nga kryetarja, Maya Graf, nga 1 deri më 6 prill do t`i bëjë një vizitë Kosovës dhe Shqipërisë. Vizita bëhet pas ftesave nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.
Në të dy vendet janë paraparë bisedime me parlamentarët dhe me përfaqësuesit qeveritarë si dhe vizita në projektet e atjeshme zvicerane.
Delegacioni e fillon vizitën e tij në Prishtinë, ku, më 2 prill, veç takimit me kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqin, janë planifikuar edhe bashkëbisedimi me komisionin për politikë të jashtme të parlamentit kosovar dhe me avokatin e popullit, Sami Kurteshin.
Pasditen e 2 prillit, delegacioni udhëton në Mitrovicë, për të krijuar një pasqyrë të angazhimit të Swisscoy-t atje. më 3 prill delegacioni i Parlamentit të Zvicrës udhëton për në Prizren ndërsa po ashtu ai do të vizitojë edhe projektet e ndryshme zvicerane në regjionin e Gjakovës.
Bëhet fjalë mes tjerash, edhe për projektet e mbështetura nga SECO dhe DEZA, që u dedikohen integrimit te romëve dhe papunësisë së të rinjve.
Më 4 prill delegacioni e vazhdon rrugën për në Shqipëri. Më 5 prill në agjendë është pritja te kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Më tutje janë parapare takime me presidentin Nishani, kryeministrin Berisha dhe me përfaqësuesit e opozitës. Delegacioni do të vizitojë po ashtu një projekt të mbështetur nga Zvicra në lëmin e arsimimit profesional, Albinfo.
Kryetaren Graf do ta shoqërojë një delegacion i përbërë nga nënkryetari i parë Ruedi Lusterster (CVP/LU), deputetët nacionalë: Adrian Amstutz (SVP/BE), Andy Tschümperlin (SP/SZ), t Laurent Favre (FDP. Die Liberalen/NE), Hansjörg Hassler (BDP/GR), Ueli Leuenberger (GPS/GE) dhe Roland Fischer (GLP/LU.