Kryeministri Thaçi u takua me guvernatorin e Iowa-s Terry Branstad
Des Moines, Iowa, 13 qershor - Në kryeqytetin e Iowa-s, Des Moines, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u prit me nderime të larta në selinë e qeverisë, State Capitol, nga guvernatori i Iowa-s, Terry E. Branstad, nga senatorët e Iowa-s, Daryl Beall, Rita Hart, nga përfaqësues të shtetit: Dan Kelley, Deborah Berry dhe Mark Lofgren, si dhe nga përfaqësues të kulturës e të biznesit.
Fillimisht kryeministrin Thaçi e pritën senatorët dhe përfaqësuesit e shtetit të Iowa-s, duke e njoftuar me të arriturat e këtij shteti dhe lidhur me bashkëpunimin midis Iowa-s dhe Kosovës.
Kryeministri Thaçi mbajti një fjalë rasti në State Capitol, në praninë e senatorëve dhe përfaqësuesve të Iowa-s, të gjeneralit të Gardës së Iowa-s, Orr dhe presidentit të Bordit të drejtorëve organizatës Iowa Sister States, Tom Rial.
Kryeministri Thaçi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Kosovën e mbështetën në mënyrë të veçantë që nga procesi i rënies së komunizmit, duke çmuar kontributin e të gjithë presidentëve amerikanë.
Kosova është vend me fat që ka një shtet mik siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha mes tjerash kryeministri Thaçi, dhe vlerësoi lart kontributin e shtetit të Iowa-s që në mënyrë të veçantë po ndihmon Kosovën, veçanërisht Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Kryeministri Thaçi kërkoi që fusha e bashkëpunimit të thellohet edhe në edukim, siguri agrikulturë dhe sektorë të tjerë. \"Kosova ka nevojë për përvojën tuaj\", tha kryeministri Thaçi.
Kryeministri Thaçi u prit nga guvernatori Terry Branstad, i cili shprehu kënaqësinë për praninë e kryeministrit të Kosovës në shtetin e Iowa-s.
Kryeministri Thaçi bëri një rikapitulim të marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Kosovës, duke theksuar faktin që SHBA-të e kanë përkrahur Kosovën në momentet më të vështira historike, në të gjitha proceset që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Guvernatori Branstad e siguroi kryeministrin Thaçi për thellim të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera. Partneriteti dhe bashkëpunimi midis Kosovës dhe Iowa- do të thellohet me rastin e vizitës së guvernatorit Branstad brenda një periudhe të shkurtër në Kosovë.
Kryeministri Thaçi vizitoi edhe kompaninë e fuqishme të industrisë ushqimore KEMIN dhe nga drejtuesit e saj u njoh me kapacitetet dhe cilësinë e punës së saj.
Në fund të vizitës, kryeministri Thaçi vizitoi bazën e forcave ajrore të Des Moines.