Kryeministri Thaçi takon sekretarin e OKB-së Ban Ki Mon
New York, 22 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar sot vizitën e tij në New York, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është duke marrë pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Sot në mëngjes, Kryeministri Thaçi u takua në selinë e Kombeve të Bashkuara me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara z. Ban Ki Moon.
Kryeministri Thaçi në takim bisedoi për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës, ku si tema kryesore ishin zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe implementimi i marrëveshjeve të dala nga dialogu.
Kryeministri Thaçi në takim i cilësoi zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të një rëndësie të madhe pasi që në këto zgjedhje për herë të parë do të marrin pjesë edhe serbët e komunave veriore të Kosovës, gjë që siguron integrimin e komunave të veriut të Kosovës.
Kryeministri theksoi përkushtimin e Kosovës që keto zgjedhje të jenë transparente dhe që të ketë një numer sa më të lartë të pjesëmarrjes së qytetarëvë të Kosovës.
Sa i përket dialogut Kryeministri theksoi se implementimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut është shumë i rëndësishëm për normalizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Kryeministri Thaçi gjithashtu e informoi sekretarin për procesin e integrimeve Evropiane, respektivisht për negociimin e MSA-së, si dhe të liberalizimit të vizave.
Gjatë takimit, Kryeministri Thaçi në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara theksoi se prezenca e UNMIK-t duhet të jetë reflektim i nevojave të Kosovës për integrim në sistemin e OKB-së dhe ti përshtatet realitetit të ri të krijuar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë.
Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki Mon e konfirmoi edhe njëherë përkrahjen e Kombeve të Bashkuara ndaj procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë si dhe rëndësinë e mbarëvajtjes së zgjedhjeve lokale që do të mbahen në nentor, të cilat i cilësoi si historike.
Gjatë kohës së qëndrimit në New York, Kryeministri Thaçi do të ketë takime të tjera me burrështetas dhe diplomatë të shteteve të ndryshme.