Kryeministri Thaçi sot takon zëvendëspresidentin amerikan Biden
Washington, 10 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në kuadër të kësaj vizite në Washington, sipas njoftimit të Kryeministrisë,Thaçi sot takimin e parë do ta zhvillojë me zëvendëspresidentin e SHBA-së, Joseph Biden, me pas me zëvendëssekretarin e Departamentit të Shtetit, William Burns, nënsekretarin e Mbrojtjes, James Miller, kongresmenin Eliot Engel, si dhe shumë senatorë, kongresmenë dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë.
Përpos takimeve zyrtare dhe intervistave me medie të njohura amerikane, kryeministri Thaçi do të mbajë edhe një ligjëratë në Universitetin John Hopkins.
Gjatë kësaj vizite në SHBA po ashtu do të vizitojë edhe shtetin e Iowas, me të cilin Kosova ka të nënshkruar marrëveshjen për partneritet.
Në Iowa, Thaçi do të takojë përfaqësues të shtetit si dhe investitorë dhe biznesmenë të këtij shteti.
Në përmbyllje të vizitës në SHBA, kryeministri Thaçi do të qëndrojë në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në takimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë vizitë atë e shoqërojnë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku.
Vizita e kryeministrit të Kosovës në SHBA vjen pas qëndrimit dhe takimeve me zyrtarë të lartë të Britanisë së Madhe javën që e lamë.