22 Dhjetor 2024

Kryeministri Thaçi pritet nga presidenti i Turqisë, Abdullah Gul

Ankara, 21 maj - Në ditën e dytë të vizitës në Republikën e Turqisë, delegacioni i lartë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi ka qëndruar në Stamboll, ku është pritur nga presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gül.

Kryeministri Thaçi po sot ka zhvilluar një takim edhe me investitorë turq lidhur me investimet në Republikën e Kosovës, takim ky i organizuar nga Këshillin për Marrëdhënie Ekonomike të Jashtme. Në bashkinë e Stambollit, kryeministrit Thaçi i është organizuar një pritje nga zëvendës kryebashkiaku, Ergün Turan.

Në takimin me presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gül, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në emër të institucioneve dhe të popullit të Kosovës falënderoi presidentin e Turqisë për përkushtimin e vazhdueshëm të shtetit turk për të mbështetur Republikën e Kosovës në të gjitha sferat. Në veçanti, kryeministri Thaçi vlerësoi lartë kontributin e Republikës së Turqisë në procesin e njohjeve për shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të investimeve ekonomike nga Turqia.

Kryeministri Thaçi në takim shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit të gjithanshëm ndërshtetëror, duke e vlerësuar Republikën e Turqisë shtet mik dhe strategjik të Kosovës.

Nga ana e tij, presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gül në takim me kryeministrin Thaçi, duke vlerësuar lartë rolin e shtetit të ri të Kosovës, si faktor i rëndësishëm në forcimin e paqes, të stabilitetit dhe të fqinjësisë së mirë në rajon, shprehu gatishmërinë e Republikës së Turqisë për të mbështetur Republikën e Kosovës në të gjitha fushat, me theks të veçantë në proceset e zhvillimit ekonomik, në fushën e arsimit, kulturës dhe në fushat tjera.

Po sot, organizuar nga Këshilli për Marrëdhënie Ekonomike të Jashtme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me investitorë turq lidhur me investimet në Republikën e Kosovës. Me këtë rast, kryeministri Thaçi ripotencoi përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e një ambienti të favorshëm për investimet e huaja në Republikën e Kosovës.

Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë për të krijuar kushte dhe mundësi reale për të inkurajuar investimet e huaja në Kosovë. Roli dhe kontributi i investitorëve turq që kanë investuar dhe janë duke investuar në Kosovë është i një rëndësie të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, - u shpreh kryeministri Thaçi, duke ftuar dhe mirëpritur edhe investitorë tjerë nga Turqia për të investuar në Republikën e Kosovës.

Në bashkinë e Stambollit, kryeministrit Thaçi i është organizuar një pritje nga zëvendës kryebashkiaku, Ergün Turan.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi të rëndësishme vizitën në Turqi, duke theksuar interesimin për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qytetin metropolitan Stambollin, si qendër e rëndësishme ekonomike dhe strategjike.

“Sipas pozitës dhe rëndësisë politike dhe ekonomike që ka, Stambolli paraqet një nga qytetet më të rëndësishme në botë. Republika e Kosovës dëshiron të ketë marrëdhënie të drejtpërdrejta me Stambollin”, tha kryeministri Hashim Thaçi, duke cekur gatishmërinë për binjakëzimin e Stambollit me komunat e Kosovës.

Kryeministri Thaçi theksoi edhe gatishmërinë e institucioneve kosovare për të zhvilluar bashkëpunim me prodhues dhe institucionet tjera të Stambollit në planin ekonomik, teknik, në arsim dhe në fusha të tjera.

Duke falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi dhe anëtarët e delegacionit shtetëror të Kosovës për këtë vizitë, zëvendës kryebashkiaku i Stambollit, Ergün Turan njoftoi ata për projektet dhe investimet që janë në realizimin e sipër në Stamboll. Në shenjë të respektit i dorëzoi kryeministrit Thaçi një libër për historinë e Stambollit dhe një plaket të një vendi kulturor në këtë qytet, që është shpallur kryeqytet kulturor i Evropës për vitin 2010. 

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, delegacioni shtetëror i Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi është pritur nga kryeministri i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe anëtarë të kabinetit të tij qeveritar. Pas takimit të gjatë dhe të përzemërt janë nënshkruar katër marrëveshje bashkëpunimi midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në fushën e transportit, të bujqësisë, arsimit dhe ambientit. 

Gjatë ditës së djeshme delegacioni nga Kosova, i kryesuar nga kryeministri Hashim Thaçi pati takim edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutoğlu.

Kryeministrin Thaçi në vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë e shoqërojnë ministri i Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj, ministri i Tregtisë, dhe Industrisë, Lutfi Zharku,  ministri Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mahir Yağcılar dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand  Stavileci.

Në të gjitha takimet në Ankara dhe Stamboll temë bosht ishte thellimi dhe forcimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve mike në shumë fusha me interes, me theks të veçantë investimet ekonomike turke në Republikën e Kosovës, si dhe  kontributi i Republikës së Turqisë në procesin e rritjes së numrit të vendeve që do ta njohin shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)