Kryeministri Thaçi në vizitë tre ditore në Republikën e Koresë
Prishtinë, 22 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ministri për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj dhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Hydajet Hyseni - Kaloshi, ka udhëtuar për një vizitë tre ditore në Republikën e Koresë.
Gjatë kësaj vizite kryeministri Thaçi do të marrë pjesë në Samitin Botëror të Paqes të organizuar nga Federata e Përgjithshme e Paqes.
Kryeministri Thaçi do të jetë një ndër folësit kryesor të këtij Samiti përkrah shumë liderëve botëror.
Në kuadër të kësaj vizite kryeministri Thaçi do të takohet edhe me shumë zyrtarë të lartë të Republikës së Koresë, me investitorë potencial, si dhe me liderë tjerë botëror që marrin pjesë në këtë Samit.
Gjatë kësaj vizite kryeministrit Thaçi do ti ndahet edhe çmimi Doctor Honoris Causa nga Universiteti Sun Mun i Seulit.
Në përfundim të vizitës së tij, kryeministri Thaçi do të marrë pjesë edhe në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Koresë.