Kryeministri Kurti mirëpritet nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer
Vjenë, 12 janar - Në kryeqytetin e Austrisë, me ceremoni shtetërore të gardës ceremoniale, Kryeministri i Republikës Kosovës, Albin Kurti u mirëprit nga Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer për një takim bilateral.
Falënderues për ftesën dhe mikpritjen në vizitën e tij të parë jashtë vendit për këtë vit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Austrisë në paqen, sigurinë dhe zhvillimin e vendit tonë dhe rajonit, dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës.
“Austria është mike e ngushtë dhe partnere e rëndësishme e Kosovës. Na ka ndihmuar në përpjekjet tona për çlirim dhe për të siguruar paqe, së bashkëu me ushtarët austriakë që kanë shërbyer për shumë vite në misionin e NATO-s në Kosovë, dhe për dekada ka mbështetur Kosovën, sidomos në sistemin e edukimit”, tha Kryeministri Kurti.
Ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale tashmë të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e rritjes dhe fuqizimit të mëtejmë të tyre në të gjitha fushat, me theks te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimi tregtar.
Me këtë rast, Kryeministri Kurti e ftoi Kancelarin Nehammer që t’i bashkëngjitet njërit nga shumë delegacioneve ekonomike austriake që do të vizitojnë Kosovën gjatë këtij viti.
Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Nehammer për punën e deritanishme të Qeverisë në kuadër të agjendës së saj reformuese dhe të agjendës integruese.
Ai po ashtu e njoftoi Kancelarin për qasjen proaktive, konstruktive dhe kreative të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, duke nënvizuar se dialogu duhet të prodhojë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve me njohje reciproke në qendër.
U diskutua edhe për agresionin ushtarak të Rusisë mbi Ukrainën, dhe për rrezikun e ndikimit malinj të Rusisë në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet aktorëve të ndryshëm.
Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit njëditor në Austri po ashtu do të marrë pjesë në diskutimin me temë "Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë", të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri. Në këtë vizitë zyrtare, bashkë me kryeministrin Kurti po merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku.