Kryeministri Kurti i njofton deputetët britanikë për situatën në veri
Londër, 26 qershor - Gjatë ditës së parë të qëndrimit në Mbretëri të Bashkuar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ambasadori Ilir Kapiti, në Parlamentin Britanik takoi deputetë të Grupeve Parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, APPG (All Party Parliamentary Group).
Në një komunikatë për media nga Qeveria e Kosovës, thuhet se ata diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mënyrat e thellimit të miqësisë dhe partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryeministri Kurti me këtë rast sipas komunikatës ka folur me ta për progresin që Kosova ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, 15 vjet më parë, e veçanërisht për arritjet në rrafshin ekonomik, demokratik dhe të sundimit të ligjit në dy vitet e fundit të qeverisjes, të vërtetuara nga shumë raporte kredibile ndërkombëtare.
Ai i njoftoi ata edhe me zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht në katër komunat në veri të vendit, me agresionin e bandave kriminale dhe të shtetit të Serbisë, dhe me qasjen parimore të Republikës së Kosovës për shtensionim të situatës dhe me angazhimin konstruktiv të saj në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian drejt normalizimit të plotë.
Kryeministri Kurti u shpreh falënderues për mikpritjen nga deputetët e Parlamentit të Britanisë së Madhe dhe përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë e po i japin Republikës së Kosovës dhe popullit të saj.â