Kryeministrat, Thaçi e Daciq takohen serish sot
Bruksel, 13 dhjetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq do të takohen sot në Bruksel për vazhdimin e bisedimeve, të ndërmjetësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Temë e bisedimeve pritet të jetë gjyqësori.
Mediat në Beograd raportojnë se në takimin e sotëm do të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vuçiq.
Sipas tyre, ky rreth i bisedimeve është shumë i rëndësishëm pasi nga ai varet në masë të madhe vendimi i Këshillit të Evropës për datën e nisjes së negociatave midis Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Ky është takimi i dytë që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.