Kroacia rithekson mbështetjen e plotë ndaj agjendës evropiane të Kosovës
New York, 20 shtator - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, është takuar sot me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, në kuadër të takimeve me kryediplomatë dhe krerë shtetëror në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.
Dy kryediplomatët kanë theksuar raportet e shkëlqyera që kanë dy vendet, miqësinë dhe bashkëpunimin bilateral në shumë fusha.
Gjatë këtij takimi ata kanë folur në mënyrë konkrete për thellim të këtij bashkëpunimi në të mirë të qytetarëve të të dyja shteteve.
Gërvalla ka shprehur edhe njëherë mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për ndihmën e pa rezervë të autoriteteve kroate ndaj bashkatdhetarëve të lënduar dhe familjarëve të viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në korrik të këtij viti në Slavonski Brod të Kroacisë.
Ministrja Gërvalla, ka nënvizuar se shkëmbimet në drejtim të proceseve që çojnë drejt integrimit euro-atlantik janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe në këtë pikë Kroacinë e ka cilësuar si shtet nga i cili mund të merren mësime të vlefshme.
Tutje kanë diskutuar edhe mbi zhvillet rajonale duke vënë theksin në tensionimet e fundit të shkaktuara nga Serbia në rajon.
Nga ana e tij, ministri kroat Grlić Radman ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë ndaj proceseve dhe agjendës evropiane të Kosovës.