Kroacia ofron me koncesion ishullin e parajsës të Titos
Zagreb, 11 janar - Kroacia shpalli se është duke kërkuar një investitor ndërkombëtar, i cili të sigurojë modernizimin e infrastrukturave turistike të ishullit Veliki Brioni, i cili dikur ishte parajsa private e Titos, dhe pas kësaj ti marrë me koncesion këto infrastruktura.
Ky ishull është më i madhi nga arkipelagu Brioni, i cili përbëhet prej 14 ishujsh dhe ndodhet afër gadishullit Istria në pjesën veriperëndimore të Kroacisë. Presidenti i Jugosllavisë Josip Broz Tito, i cili vdiq në vitin 1980, e kishte kthyer arkipelagun në një parajsë private që nga viti 1954 deri në vitin 1979. Në vitin 1983 ishujt u transformuan në një park kombëtar, ku rriteshin lloje të rralla bimore dhe kafshore.
Përveç përfaqësuesve kryesorë politikë nga mbarë bota, Tito ka mirëpritur në ishull edhe yje kinematografike, si Sophia Loren, Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.