Kroacia nominon ministren Pushiç për sekretare të OKB-së
New York, 18 janar - Kroacia ka nominuar ministren e Jashtme, Vesna Pushiç, për postin e sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke u bërë shteti i parë që ka paraqitur një femër për këtë post, i cili është mbajtur historikisht nga meshkuj, raporton agjencia DPA.
Në letrën dërguar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u ishte shpërndarë vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviç, e ka nominuar zonjën Pushiç, e cila është edhe zëvendëskryeministre e parë e Kroacisë.
Zonja Pushiç ka një karrierë të shquar kombëtare dhe ndërkombëtare, si politikane dhe anëtare e akademisë, çka e bën atë plotësisht të përgatitur për kryerjen e këtij posti të udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale, ka shkruar kryeministri Milanoviç, raporton Kosovapress.
Më herët, edhe Maqedonia ka paraqitur kandidatin e vet, Sërgjan Kerim, që është diplomat dhe biznesmen.
Mandati i sekretarit të Përgjithshëm aktual të OKB-së, Ban Ki-moon, përfundon gjatë këtij viti.