Kroacia e gatshme për ta ndihmuar Kosovën
Zagreb, 28 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj gjatë ditës së parë të vizitës që po i bënë Kroacisë është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandroković, me zëvendëskryeministrin Petar Čobanković dhe me kryetarin e Kuvendit, Luka Bebić.
Gjatë këtyre takimeve, Ministri Hoxhaj ka marrë përkrahjen e shtetit korat për vazhduar bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave.
Pas takimit me homologun e tij kroat, Ministri Hoxhaj ka marrë mbështetjen e fuqishme të Kroacisë për ndihmën që mund të jap ky shtetet Kosovës në anëtarësimin në nismat e ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare e veçanërisht në avancimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Republika e Kroacisë do të shërbej si model për Republikën e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ne do të marrim përvojat e tyre në mënyrë që t'i paraprijmë proceseve integruese. Jemi marrë vesh që shumë shpejt të hartojmë një agjendë të përbashkët, për mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve, tha Ministri Hoxhaj.
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë në të gjitha fushat, Ministri Hoxhaj ka veçuar bashkëpunimin në ekonomi, tregti, kulturë, arsim dhe sport. Tregu i Kroacisë do të jetë i hapur për investime dhe produkteve kosovare, tha ministri Hoxhaj.
Shefi i diplomacisë kosovare ka paralajmëruar nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes Kosovës dhe Kroacisë.
Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme dhe Integrimeve Evropiane i Republikës së Kroacisë, Gordan Jandroković tha se Republika e Kroacisë ka bërë hapa të mëdhenj dhe të duhur në procesin e liberalizimit të vizave dhe në përafrimin me Bashkimin Evropian.
Gjatë këtyre viteve kemi mbledhur një përvojë të jashtëzakonshme rreth këtyre dy proceseve. Pikërisht këtë përvojë dhe këtë ekspertizë dëshirojmë tia japim Kosovës në mënyrë që rruga e saj drejt BE-së të jetë më e shkurtër dhe më e shpejt se jona, tha Ministri Jandroković.
Duke theksuar faktin që Kroacia ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, shefi i diplomacisë kroate Jandroković ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për integritetin territorial dhe shtetësinë e Republikës së Kosovës. Ai po ashtu ka shprehur mbështetjen e Kroacisë për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Ne përkrahim dialogun teknik mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Në këtë çështje Kroacia mund të shërbejë si model për bashkëpunim rajonal, për zgjidhjen e çështjeve teknike mes shteteve të rajonit, theksoi Jandroković.
Ministri Hoxhaj u takua edhe me zëvendëskryeministrin Petar Čobanković i cili njëkohësisht është edhe Ministër i Bujqësisë.
Čobanković ka thënë se produktet kosovare duhet të gjejnë më shumë vend në tregun e Kroacisë, duke premtuar lehtësime të shumta sidomos për produktet ushqimore të Kosovës.
Po ashtu, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me Kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Luka Bebić gjatë të cilit është diskutuar për intensifikimin e bashkëpunimit mes dy parlamenteve.