11 Janar 2025

Kroacia do ta mbështes Kosovën në procesin e integrimeve evropiane

Munih, 1 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot me Presidentin e Republikës së Kroacisë, zotëri Ivo Josipoviq, në Munich të Gjermanisë, ku po mbahet konferenca e 49 e Sigurisë.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipoviq biseduan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, për proceset nëpër të cilat po kalon i gjithë rajoni i Ballkanit, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kroacisë në BE dhe theksoi se kjo do të ndihmojë gjithë shtetet e rajonit të Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane.

Ajo tha se Kroacia mund ta ndihmojë Kosovën në fushën e integrimeve dhe gjithashtu edhe në përfundimin e reformave të nevojshme që kërkohen në këtë proces.

Ajo tha se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë janë shembull për të gjitha shtetet e tjera dhe theksoi se bashkëpunimi duhet të thellohet edhe më shumë në të gjitha fushat edhe politike edhe ekonomike edhe në investime.

Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës ka bërë përparime të rëndësishme në agjendën e saj evropiane dhe është duke i përmbushur standardet që do t’i mundësojnë përshpejtimin e integrimit në BE.

Ajo tha se Republika e Kosovës po dëshmohet si një vend stabil dhe promovuese e fqinjësisë së mirë.

Duke folur për marrëdhëniet me Republikën e Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se dialogu që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së kontribuon në relaksimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, sovrane dhe pavarura.

Ajo tha se takimi në nivel Presidentësh që do të zhvillohet se së shpejti, nën organizimin e  BE-së, do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon.

Presidentja Jahjaga i bëri ftesë Presidentit Josipoviq që ta vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt, ftesë kjo që u pranua me kënaqësi nga Presidenti kroat.

Presidenti Josipoviq i vlerësoi shumë të mira marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe theksoi se ato duhet të thellohen më tutje.

Ai tha se Kroacia do ta mbështes Kosovën në procesin e integrimeve evropiane si dhe do ta ndihmojë atë në fushën ekonomike dhe në fushat e tjera.

Josipoviq tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm dhe i kontribuon procesit të integrimeve evropiane. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)