Kriza e imigracionit të fëmijëve në SHBA
Washington, 18 korrik - Shtetet e Bashkuara kanë filluar të kthejnë grupe imigrantësh të rinj nga shtetet e Amerikës qendrore të cilët kanë hyrë në vend në mënyrë të paligjshme.
Më shumë se 60 mijë fëmijë kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara që nga tetori i vitit të kaluar, një rritje prej 400 për qind nga viti i mëparshëm.
Zëri i Amerikës Carolyn Presutti analizon problemin dhe tregon historinë se si një adoleshent nga Amerika Qendrore erdhi në SHBA.
Brandon stërvitet që të ketë muskujt e një burri. Për ironi, ishte fuqia e tij që e detyroi atë të largohej nga Guatemala dhe të vijë në kufirin amerikan. Një bandë kriminale i kishte vënë syrin.
Kur isha 14 vjeç, bandat e panë se isha i madh dhe e kthyen vëmendjen tek unë. Donin të më korruptonin.
Prandaj ai u largua...por gjatë udhëtimit të tij 40 ditor i dolën probleme të tjera. Në një tren meksikan të quajtur The Beast Bisha, një grua ishte në rrezik.
Donin ta përdhunonin. Ajo nuk donte kështu që u hodh nga treni me fëmijën e saj dhe ata i shtypi treni.
Që nga tetori i vitit të kaluar, 60 mijë fëmijë të pashoqëruar kanë kaluar kufirin amerikan. Zyrtarët llogarisin se numri i tyre do të arrijë në 90 mijë deri nga fundi i këtij shtatori.
Njerëzit që e njohin Brandonin dhe të tjerë si ai thonë se ky nuk është problem migracioni.
Ata nuk janë refugjatë. Është një mashtrim i madh.
Brad Botwin është drejtori i Help Save Maryland, një grup kundër imigracionit të paligjshëm.
Ka disa probleme atje me dhunën; por ka mënyra për ta ndrequr situatën. Jo të vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe të arratisen nga problemi.
Por ndërsa vendet e Amerikës qendrore mundohen të luftojnë dhunën dhe varfërinë, fëmijët vazhdojnë të vijnë.
Një ligj i vitit 2008 lejon që fëmijët nga Amerika qendrore të rrijnë deri sa për ta të hapet një seancë gjyqësore, në vend që të deportohen menjëherë. Bob Dane punon për FAIR Federatën për Reforma të Imigracionit Amerikan. Ai thotë se qëllimi fillestar i ligjit ishte të mbronte fëmijët që trafikoheshin.
Fatkeqësisht tani, ligji përdoret si shteg reklamohet si mjet për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Në të vërtetë, është shtytësi kryesor i migracionit në masë nga Amerika qendrore.
Kur vijnë fëmijët, ligji i lejon ata të rrinë në qendra paraburgimi dhe pastaj lejohen të kujdesen nga anëtarë të familjes deri sa ti vijë rradha e gjyqit. Marc Rosenblum i Institutit për Politikën e Migracionit synon që ligji të ndryshojë.
Ligji nuk lejon një zgjidhje të shpejtë për deportimin e fëmijëve të cilët nuk kanë të drejtë për vizë. Prandaj çelësi është përshpejtimi i procesit të gjyqit.
Aktualisht, seancat gjyqësore mund të zgjasin deri në dy vjet. Kështu që tani për tani, Brandon është vendosur në Virxhinia me prindërit e tij. Ata jetojnë këtu për më shumë se tetë vjet si emigrantë pa dokumenta.