Krijimi i qeverisë së qëndrueshme, parakusht për bisedimet
Bruksel, 10 shkurt - Përfaqësues të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje partive politike në Kosovë të formojnë fillimisht një qeveri të qëndrueshme e pastaj ti kërkojnë Brukselit zyrtar qartësi për bisedimet e ardhshme me palën serbe.
Deputetja e Parlamentit Evropian, Doris Pak tha se krijimi i një qeverie të qëndrueshme është parakusht për bisedimet me shtetin serb.
Mendoj se ata duhet të formojnë një qeveri e cila nuk do të prishet në vjeshtë. Ky është një problem i madh dhe nuk e di se a do të mund ta zgjedhin këtë, por ky është një parakusht. Pastaj, ata do të duhej ti kërkonin zonjës Ashton të japë një ide se si mund të niset ky dialog, tha Pack për Radion Evropa e Lirë.
Në shtator të vitit të kaluar, pas miratimit të një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes së cilës u bëhej thirrje të dyja palëve që të angazhohen në një dialog për çështjet e interesit të përbashkët me lehtësim të BE-së, u bë e qartë që një dialog të tillë do ta lehtësojë Bashkimi Evropian.
Mirëpo, eurodeputetja gjermane kritikoi qasjen e Brukselit zyrtar ndaj këtij dialogu. Ajo tha se diplomacia evropiane nuk është e përgatitur për të ndihmuar këtë proces.
Problemi është që Kosova është tepër e dobët për të kërkuar diçka. Ajo e ka kuptuar se dialogu është parakusht për shumë gjëra, por unë nuk shoh një agjendë të vërtetë për këtë dialog dhe- nëse mund të flas haptazi, nuk shoh që përfaqësuesit e lartë në Bruksel të jenë përgatitur si duhet për të qenë ndihmues në këtë dialog, theksoi ajo.
Prishtina dhe Beogradi, edhe pse janë pajtuar që bisedimet në mes tyre të nis pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë, vazhdojnë të kenë pikëpamje kontradiktore lidhur me temat të cilat duan ti diskutojnë.