Krasniqi në konferencen e kryeparlametarëve të Ballkanit
Budapest, 8 tetor - Në Budapest të Hungarisë ka nisur punimet Konferenca e Gjashtë e Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor, në të cilën po merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Kjo konferencë, që tashmë është shndërruar në takim tradicional, organizohet nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, përkatësisht nga kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, László Kövér.
Në këtë konferencë po marrin pjesë të gjithë kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Malit të Zi, i cili po përfaqësohet nga një nënkryetar i Parlamentit.
Në seancën e paradites, gjatë diskutimeve lidhur me temën Integrimi në Bashkimin Evropian: rezultatet dhe aspiratat, pjesëmarrësit vlerësuan lart punën dhe angazhimin e të gjitha vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian. U potencua nevoja për rritjen e bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh në rajon, si dhe e shkëmbimit të mëtejmë të përvojave, si mundësi e mirë në rrugën e integrimit evropian.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para homologëve nga rajoni, tha se interesi ynë i përbashkët është integrimi rajonal në Bashkimin Evropian, prej nga rezulton edhe nevoja e një bashkëpunimi e koordinimi për të shkurtuar rrugën drejt këtij qëllimi madhor. Kryetari Krasniqi tha se Republika e Kosovës është tërësisht e përkushtuar për zbatimin e agjendës evropiane.
Nga Konferenca e kaluar këtu në Budapest, tash e dy vjet më parë, në vendin tim kanë ndodhur shumë ndryshime progresive dhe janë bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit evropian. Rruga e kaluar deri tashti dhe perspektiva e veprimeve të ardhshme janë përcaktuar nga tre faktorë bazë: vullneti i gjerë qytetar për Kosovën evropiane, angazhimi i fuqishëm institucional dhe përkrahja e Bashkimit Evropian për të shtyrë përpara proceset integruese në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë, në veçanti, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Ai shtoi se qeveria tash sa vite zbaton Planin e Veprimit për Zbatimin e Partneritetit Evropian, i cili azhurnohet në vijimësi, sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian në raportet vjetore të progresit.
Krasniqi njoftoi të pranishmit se Kuvendi i Kosovës ka një Komision të veçantë për integrime evropiane, i cili ka përgatitur Strategjinë e integrimit dhe koordinon veprimet e zbatimit të saj, ndërsa në Presidencën e Kosovës është themeluar Këshilli Nacional për Integrim Evropian, i cili i kontribuon koordinimit politik të institucioneve qendrore të shtetit, komunave, partive politike, shoqërisë civile, institucioneve akademike, komunitetit të biznesit etj.
Në kuadër të këtyre proceseve integruese, shtoi kreu i Kuvendit të Kosovës, është edhe dialogu i gjatë dhe i vështirë midis Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe baronesha Eshton, në të cilin janë arritur një varg marrëveshjesh, që synojnë normalizimin e raporteve midis këtyre dy vendeve.
Kryeparlamentari Krasniqi tha se Kosova i gëzohet përparimit të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit, sepse vetëm integrimi i të gjitha këtyre vendeve në Bashkimin Evropian, sjell stabilitetin e plotë të rajonit, bashkëpunimin e mirëfilltë dhe paqen e zhvillimin e gjithmbarshëm.
Rruga drejt Bashkimit Evropian kalon nëpërmjet reformave të gjithanshme. Ato shpeshherë janë të vështira dhe me dhembje, prandaj kërkojnë lidership të fortë dhe guxim në vendimmarrje, sepse efektet imediate të tyre mund të dëmtojnë interesat efemere, kurse dobia është në hapat vijues, në afat më të gjatë dhe përtej mandateve aktuale të qeverive në pushtet."
"Proceset integruese janë më shumë interes i së ardhmes se sa i të sotmes emergjente. Ne duhet të kemi vizionin, vullnetin, qëllimin dhe vendosmërinë të shikojmë më larg në të ardhmen tonë më të mirë e të përbashkët, theksoi ndër të tjera Krasniqi.