12 Janar 2025

Krasniqi: Kosova dhe Jordania duhet të forcojnë marrëdhëniet

Prishtinë, 3 korrik - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, është pritur në takime të ndara nga kryeministri i Jordanisë, Abdullah Ensour dhe kryetari i Senatit të Parlamentit të Jordanisë, Taher N. Masri.

Duke i uruar mirëseardhje kryetarit Krasniqi dhe delegacionit që e shoqëron, udhëheqësit jordanezë shprehën kënaqësinë për vizitën dhe për të arriturat e Kosovës, si dhe për njohjen e saj ndërkombëtare.

Duke shprehur dëshirën dhe gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, udhëheqësit jordanezë siguruan kryetarin e Kuvendit të Kosovës se Jordania do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Ishte qëndrim i përbashkët se kjo vizitë është një mundësi e mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve respektive.

Kryeministri jordanez, Abdullah Ensour, theksoi se vizita delegacionit nga Kosova është mundësi e mirë e njohjes nga afër me zhvillimet politike dhe ekonomike në të dy vendet dhe shtroi nevojën që në të ardhmen të shkëmbehen edhe më shumë vizita zyrtare.

Ai tha se ekzistojnë mundësi të shumta të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

“Të gjithë ne jemi krenarë që e kemi njohur Republikën e Kosovës qysh në vitin 2009, prandaj gëzohem që ekziston një shkëmbim politik, por edhe kulturor midis dy vendeve tona”, theksoi ndër të tjera kryeministri jordanez.

Kryetari i Senatit të Parlamentit të Jordanisë, Taher N. Masri, ndërkaq, tha se ka shumë arsye që i shtynë të dy vendet të rrisim edhe më shumë bashkëpunimin. Prandaj, sipas tij, Jordania është e gatshme të bëjë atë që është e mundur për përparimin e mëtejshëm të Kosovës.

Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi mikpritësit për pritjen dhe shprehu kënaqësinë për vizitën që po i bënë Jordanisë.

Krasniqi çmoi lart njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Jordania dhe shprehu mirënjohjen e vendit dhe popullit tonë për miqësinë e sinqertë dhe për mbështetjen e pakursyer që shteti dhe populli jordanez i ka dhënë Kosovës. 

Kreu i Kuvendit të Kosovës i njoftoi udhëheqësit shtetërorë jordanezë me zhvillimet aktuale në vendin tonë dhe paraqiti të arriturat e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, siç janë: ndërtimi i institucioneve demokratike, vendosja e rendit kushtetues demokratik e modern, ngritja ekonomike dhe stabiliteti shoqëror e politik, njohja ndërkombëtare e pavarësisë, anëtarësimi në FMN, BB, e BERZH, vendosja e marrëdhënieve miqësore me shumë vende etj.

\"Në këto vite kemi krijuar marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, me të cilën, së fundi janë duke u bërë përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve\", vlerësoi kryeparlamentari Krasniqi.

Edhe në këto takime u shfaq gatishmëria për të formuar grupet e miqësisë midis dy parlamenteve,  të cilat, sipas bashkëbiseduesve, do të krijonin një mundësi të mirë për ngritjen e bashkëpunimit dhe të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe dy shteteve.

Në vizitën e tij zyrtare në Jordani, po shoqërohet nga deputetët Ahmet Isufi dhe Amir Ahmeti, si dhe Ambasadori i Kosovës në Ankara, jo rezident në Jordani, Avni Spahiu. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)