KQZ i Kosovës dhe i Shqipërisë nënshkruan bashkëpunimin
Tiranë, 10 mars - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi.
Në emër të KQZ-së së Kosovës nënshkroi kryetarja Valdete Daka, ndërkaq në emër të KQZ-së së Shqipërisë Memorandumin e nënshkroi kryetarja e këtij institucioni, Lefterije Luzi (Lleshi).
Pas kësaj ceremonie, në një konferencë të përbashkët për media, kryetarja e KQZ-së së Kosovës, znj. Valdete Daka tha se ky Memorandum Bashkëpunimi ka për qëllim ngritjen e standardeve zgjedhore në të dy vendet, si dhe është në funksion të rritjes së eficencës së punës institucionale dhe modernizimit të të gjitha aspekteve të organizimit, menaxhimit dhe administrimit të zgjedhjeve.
Do të angazhohemi bashkërisht për bashkëpunim të ndërsjelltë institucional, në organizimin e aktiviteteve me interes të përbashkët në shërbim të shkëmbimit të eksperiencave zgjedhore, tha Daka, e cila shtoi se edhe më herët ka pasur bashkëpunim me KQZ-në e Shqipërisë në fusha të ndryshme.
Ajo kujtoi Zgjedhjet e fundit Lokale në Kosovë dhe mbështetjen në logjistikë, për çfarë shprehu falënderim në emër të KQZ-së.
Ndërkaq, nga ana e saj, kryetarja e KQZ-së së Shqipërisë, znj. Lefterije Luzi (Lleshi) u shpreh se duke marrë parasysh lidhjet tradicionale historike dhe kulturore ndërmjet dy vendeve dhe dëshirën për të forcuar marrëdhëniet e bashkëpunimit në çdo fushë, jemi të bindur se një bashkëpunim efektiv dhe i ngushtë do ti shërbejë rritjes së përformancës administrative zgjedhore të dy institucioneve.
Me këtë rast, znj. Luzi (Lleshi) i dhuroi KQZ-së së Kosovës logon e KQZ-së së Shqipërisë, të cilën e pranoi kryetarja Daka.
Ideja e një Memorandumi të tillë për Bashkëpunim ndërmjet dy KQZ-ve erdhi pas një takimi të përbashkët të zhvilluar në Prishtinë, dhjetorin e vitit të kaluar.