Kouchner: Serbia të zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën
Beograd, 1 Mars - Ministri i Jashtëm i Francës Bernard Kouchner pritet ti bëjë thirrje Serbisë ti zgjidhë mosmarrëveshjet me Kosovën dhe fqinjët e saj, transmeton AFP.
Para mbërritjes në Beograd, Kouchner u tha gazetarëve se "Franca favorizon integrimin e Serbisë në BE dhe zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Beogradi nuk duhet ti bëjë gjërat më të ndërlikuara sesa janë, tha ai duke iu referuar raporteve të Serbisë me Kosovën. Unë jam mik i të dyve, tha Kushner, i cili sot do të takohet me zyrtarët më të lartë serbë.
Zëdhënësi i tij, Bernard Valero, tha se vizita e Kushnerit në Beograd është shenjë e përkushtimit të Francës për zhvillimin e gjithë rajonit dhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ndryshe, ministri i Jashtëm, Kouchner, në orët e pasdites arrin në Kosovë. Ai do të takohet me udhëheqësit e institucioneve qendrore dhe pritet tu drejtohet edhe ligjvënësve kosovarë në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës.