Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Panamanë
Panama City, 28 gusht - Republika e Kosovës ka vendosur zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Panamasë.
Marrëveshja është nënshkruar të mërkurën në kryeqytetin e Panamasë ndërmjet ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Panamasë, Fernando Núñez Fábrega.
Gjatë vizitës zyrtare në Panama, ministri Hoxhaj është takuar me homologun Núñez Fábrega, me çrast është konfirmuar thellimi i gjithanshëm i bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë aktin e nënshkrimit të marrëdhënieve diplomatike me Panamanë, duke theksuar interesimin e Qeverisë së Kosovës që të hap Ambasadën e parë të Kosovës në Amerikën Latine, pikërisht në këtë shtet mik.
Nënshkrimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Panamasë, është hapje e një kaptine të re të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe qeverive tona. Ne jemi të interesuar që ky bashkëpunim të lëviz përtej marrëdhënieve diplomatike dhe që të kemi bashkëpunim ndërmjet popujve tanë si dhe bashkëpunim e shkëmbime në fusha të ndryshme të jetës, theksoi Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu vlerësoi se në një kohë dinamike dhe komplekse globale është me rëndësi që shtetet e vogla të mbështesin njëra-tjetrën dhe të ndërtojnë partneritet, pavarësisht distancës gjeografike ndërmjet tyre.
Panamaja mund të jetë një vend i rëndësishëm që do ta lidh Kosovën me Amerikën Latine. Por, edhe Kosova mund të jetë një vend i rëndësishëm që do ta lidh Panamanë me vendet e Evropës Juglindore, tha ministri Enver Hoxhaj.
Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Panamasë, Fernando Núñez Fábrega, ka thënë se e mirëpret hapjen e Ambasadës së Kosovës në Panama, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës foli për planin për të hapur një Ambasadë në Panama me qëllim që të shërbejë si vend i lidhjes, si portë e Kosovës për Amerikën Latine, tha ministri Núñez Fábrega.
Ministri Núñez Fábrega po ashtu ka shprehur vullnetin e Qeverisë së tij për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën, si dhe ka ftuar ministrin Hoxhaj që të marr pjesë në samitin e radhës të shteteve të Amerikës Latine, i cili do të zhvillohet në Panama.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj po ashtu ka falënderuar homologun panamez për njohjen e shpejt të Kosovës në janar të vitit 2009, përkrahjen për anëtarësim në Bankën Botërore dhe FMN, si dhe e ka njoftuar për progresin që po arrihet në vazhdimësi në Republikën e Kosovës.
Hoxhaj ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes së Panamasë në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara dhe në Organizatat e Shteteve Amerikane, siç është edhe Asociacioni i Shteteve të Karaibeve.