12 Janar 2025

Kosova vendos marrëdhëniet diplomatike me Kostarikën

New York, 23 shtator - Republika e Kosovës ka vendosur marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Kostarikës.

Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve është nënshkruar sot në New York nga ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe homologu nga Kostarika, José Enrique Castillo Barrantes.

Dy ministrat kanë vlerësuar lartë rëndësinë që ka për dy shtetet vendosja e marrëdhënieve diplomatike si dhe thellimi i mëtutjeshëm i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe dy popujve.

Ministri Hoxhaj shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen që Kostarika ka dhënë për Kosovën.

Duke iu referuar faktit se Kostarika është ndër shtetet e para që e kanë njohur Kosovën, më 18 shkurt 2008, vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Hoxhaj theksoi se Kostarika ka hyrë në  memorien historike të popullit të Kosovës, me këtë akt.

Më tutje, ministri Hoxhaj e njoftoi homologun Barrantes për progresin që po arrihet në Kosovë, fuqizimin e gjithanshëm të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.

Ai po ashtu shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve me Kostarikën.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kostarikës, José Enrique Castillo Barrantes, vlerësoi lart progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të tij.

Ministri Barrantes po ashtu theksoi angazhimin e Kostarikës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale, në shumë fusha, me Republikën e Kosovës.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve me vendet mike, është një ndër prioritetet e politikës së jashtme kosovare, në kuadër të angazhimit për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)