Kosova vend i vogël, por aleat me zemër të madhe i SHBA-së
Berlin, 9 shtator - Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, bashkë me ministra e shefa të mbrojtjes të mbi 50 shteteve aleate të SHBA-së, nën organizimin dhe udhëheqjen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III, ka marrë pjesë në takimin e pestë të radhës së Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.
Në bazën ajrore amerikane Ramstein të Gjermanisë përveç miratimit të vendimit të Presidentit Biden për transferimin e kapaciteteve ushtarake amerikane në vlerë prej 675 milionë dollarësh në Ukrainë, theksi i takimit ishte në ndihmën afatgjate për Ukrainën, teksa përballet me pushtimin rus.
Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar maksimalisht, përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, në mbrojtje të vlerave euroatlantike si: paqja, liria dhe demokracia, për Ukrainën dhe gjithë vendet dhe popujt liridashës dhe paqedashës në Botë.