Kosova sot shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë
Prishtinë, 15 shtator - Më 15 shtator, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Me këtë rast, Kuvendi organizon disa aktivitete në të cilat qytetarët mund të marrin pjesë.
Përmes Dyert e Hapura të Kuvendit, nxënës të shkollave të mesme, studentë të universiteteve dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, do të kenë mundësinë të vizitojnë ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Gjatë aktiviteteve të organizuara për këtë ditë, qytetarët do të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe në panelet e diskutimit të organizuara në mënyrë të veçantë për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Temat për diskutim janë: Përfaqësimi i qytetarëve në procesin legjislativ, votues për herë të parë dhe rritja e daljes në votime dhe qasja në informata zyrtare dhe transparenca në Kuvendin e Kosovës
Panairi i OJQ-ve pranë ndërtesës së Kuvendit, në sheshin Adem Jashari, po ashtu mund të vizitohet nga grupet e njëjta të qytetarëve.
Të gjitha aktivitetet do të përcillen nga një program i larmishëm artistik dhe edukativ, me muzikë dhe performancë nga artistë të ndryshëm.
Për të festuar këtë ditë, Kuvendi ka ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në këto aktivitete, duke filluar nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite.
Gjithashtu edhe misioni i OSBE-së në Kosovë, së bashkëpunim me partnerët lokal, do të organizojë një seri aktivitetesh për të shënuar 15 Shtatorin - Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë.
Ngjarjet për ditën e demokracisë që organizohen nën moton Prano sfidën e demokracisë do të përfshijnë seanca të hapura në komuna; diskutime publike mbi aspekte të ndryshme të demokracisë; ligjërata për studentë, kuize për demokracinë, si dhe gara në shkrim të eseve dhe pikturë.
Ngjarjet do të zhvillohen në mbarë Kosovën, me qëllim që të mobilizohet mbështetje e gjithanshme për proceset demokratike, inkurajim për përfshirje aktive të të gjitha komuniteteve, dhe vetëdijesim për të arriturat dhe sfidat e demokracisë.
Të gjitha aktivitetet e organizuara në teren janë të mbështetura nga Qendrat Rajonale të OSBE-së në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, dhe Gjilan.