Kosova siguron përkrahje nga vendet arabe
Prishtinë, 9 mars - Drejtori i Përgjithshëm në MPJ Lulzim Mjeku dhe i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite Rexhep Boja patën takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, MPJ të Katarit dhe të Mbretërisë së Bahreinit.
Në takimin me Ministrin e Jashtëm të Jordanisë Nasser Judeh dhe me sekretarin e përgjithshëm të MPJ-së Mohamed Ali Daher, delegacioni i Republikës së Kosovës prezantoi pasqyrën e përgjithshme të politikës së jashtme të Kosovës.
Duke iu falënderuar për njohjen dhe qëndrimin ndaj Kosovës, Drejtori i Përgjithshëm, Lulzim Mjeku, shprehu edhe simpatinë historike të popullit shqiptar e të Kosovës në veçanti për familjen mbretërore jordaneze. Jordania ka kontribuuar jo vetëm me njohje, por edhe me qëndrimin e saj oral në mbrojtje të shtetit të pavarur të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Drejtori i Përgjithshëm Mjeku dhe i ngarkuari me punë Boja, në këtë vazhdë vizituan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Katarit, ku u pritën nga drejtori i Departamentit për Çështje Evropiane dhe Amerikane, ambasadorin Adel Ali Al Khal.
Në takimin e përzemërt, delegacioni i Kosovës bëri prezantimin e shtetit të Kosovës dhe pozitës së tij në arenën ndërkombëtare, duke theksuar prioritetet e politikës së jashtme, diplomacinë publike dhe ekonomike.
Të dy palët shprehën kënaqësinë për vizitën e realizuar të kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi vitin e kaluar në Doha dhe për njohjen e akorduar nga Shteti i Katarit. Palët biseduan edhe për format e bashkëpunimit të mëtejmë në marrëdhëniet e tyre bilaterale.
Delegacioni i Kosovës, në përbërjen e përmendur, zhvilloi një takim edhe në Mbretërinë e Bahreinit, në kryeqytetin Manama, ku u prit nga Abdulla Abdullatif Abdulla, nënsekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadori Dhafer Alumran, drejtor i Departamentit për Çështje Bilaterale.
Delegacioni i Kosovës u takua me nënsekretarin e MPJ-së Abdulla Abdullatif Abdulla.
Në një atmosferë miqësore e mirëkuptimi të dyanshëm, delegacioni i Kosovës bëri një paraqitje të pasqyrës së shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës, duke shfaqur falënderimin e institucioneve të Kosovës për njohjen nga Bahreini.
Nënsekretari Abdulla u zotua se Bahreini do të ofrojë edhe në të ardhmen përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.