Kosova shënon përparim të lehtë në shkallën e demokracisë
New York, 12 prill - Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, Freedom House, vlerëson se Kosova ka shënuar përparim të lehtë në shkallën e demokracisë që nga viti i kaluar.
Këto pohime janë pjesë e projektit të kësaj organizate për vëzhgimin vjetor të reformave demokratike, një projekt që ka filluar të publikohet që nga viti 1995.
Në një vlerësim nga një deri në shtatë, ku nota një është shkalla më e lartë, ndërsa 7 është shkalla më e ultë e përparimit demokratik, Kosova ka notën 4.93 ndryshe 4.96 që e kishte një vit më parë.
Në pjesën e raportit për Kosovën thuhet mes tjerash se Kosova kishte gjatë 2017-tës një vit të trazuar. Pati disa përmirësime në procesin zgjedhor, ndërsa lufta kundër korrupsionit ngeci për shkak të mungesës së vullnetit politik.
"Me gjithë tendencat gjysmë autoritare dhe përzierjes së administratës me interesat e jashtme. kuadri kushtetues e ligjor ka vazhduar të sigurojë mbrojtje nga përqendrimi i pushtetit".
Raporti përshkruan dobësitë që përshkuan qeverinë që në vitin 2016 e të cilat nuk mund të tejkaloheshin për shkak të tensioneve të brendshme të vazhdueshme të shkaktuara nga "antipatitë" ndërmjet partive përbërëse të koalicionit, gjë që çoi në zgjedhjet të parakohshme në qershor të vitit të kaluar.
Koalicioni i ri qeverisës u ngrit në shtator, por, thuhet në raport, ai nuk arriti të sigurojë më shumë qëndrueshmëri sesa ai paraprak.
"Përkundrazi, ai u mbështet në qeverisje me dekrete, duke anashkaluar parlamentin dhe shpesh duke vepruar pa marrë parasysh proceset dhe kërkesat ligjore".
Kosova mbajti dy palë zgjedhje gjatë vitit 2017: të përgjithshmet në qershor dhe ato për pushtetin komunal në tetor.
"Ndonëse mungesat e identifikuara shumë kohë më parë në kuadrin ligjor të zgjedhjeve nuk janë tejkaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe autoritetet tjera ndërmorën një përpjekje të konsiderueshme për të siguruar që zgjedhjet të ishin të lira, konkurruese dhe transparente. Kjo u arrit ne masë të madhe, edhe pse u ngritën disa shqetësime lidhur me trysninë politike në zonat me popullsi serbe".
Raporti theksin se zgjedhjet treguan që "rritja e partisë nacionaliste, Vetëvendosje dhe rënia e pushtetit partive tradicionale ka vazhduar gjatë vitit 2017. Ideologjia është vënë në krye të fushatës zgjedhore, duke kërcënuar dominimin e partive që e kanë origjinën në vitet 1990 dhe udhëheqja e të cilave për herë të parë është e paqartë".
Raporti vë në pah ndryshimet që ndodhën në skenën politike pas zgjedhjeve duke ndryshuar renditjen e partive politike.
Më institucionet e paralizuara nga kalendari i ngjeshur zgjedhor, thuhet në raport, shoqëria civile dhe mediat morën në duart e tyre organizimin e debatit publik dhe vazhduan të shpalosin korrupsionin dhe keqqeverisjen e punëve publike nga shteti dhe zyrtarët e tij, me gjithë shtimin e trysnisë, që shpesh u manifestua me dhunë fizike.
Raporti thekson se kuadri për institucionet vendore ka përjetuar disa përmirësime të vogla gjatë vitit 2017 dhe komunat ende nuk kanë fonde dhe burime të mjaftueshme për të përmbushur rolin e tyre të madh në sistemin politik të Kosovës.
"Gjatë vitit nuk pati përparim në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për shkak të zvarritjes së dialogut me Serbinë dhe zhvillimeve të ngjeshura politike".
Raporti theksin se paparimi më i madh në fushën e drejtësisë ishte funksionalizimi i Gjykatës së Posaçme në Hagë nën ombrellën ligjore të Kosovës, me gjithë kundërshtimin nga shumë aktorë të spektrit politik dhe qeverisë aktuale. Aty përmendet edhe nisma e dhjetorit të vitit të kaluar për shfuqizimin e kësaj gjykate "nga një numër deputetësh dhe me mbështetjen e presidentit dhe qeverisë, duke ngritur dyshime për përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë dhe sundimit të ligjit".
Ngjashëm, thuhet në raport "lufta kundër korrupsionit u zvarrit pasi autoritetet treguan një mungesë absolute të angazhimit për të trajtuar zyrtarët e profilit të lartë, duke preferuar që të përqendroheshin në korrupsionin e nivelit të ultë, duke shmangur kështu proceset e ndërlikuara dhe luftimin e lidhjeve politike"
Raporti thekson se gjatë vitit 2018 qeveria e re e Kosovës do të përpiqet të zbatojë programin e saj. "Kundërthëniet e brendshme, një koalicion i dobët që varet nga partitë e pakicave dhe një qasje e njëanshme do të shënojë këtë vit pasi qeveria do të vazhdojë të anashkalojë parlamentin për të shmangur kontrollin e duhur parlamentar".
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të kërkojë përmbushjen e detyrimeve të trashëguara siç është ngritja e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe përmbushjen e kushteve përfundimtare për liberalizimin e vizave.
Në raport thuhet me tjerash se integrimi i zonave me shumicë serbe në veriun e vendit do të përparojë ngadalshëm në gjatë vitit 2018, varësisht nga ritmi i bisedimeve me Serbinë. Sistemi gjyqësor në veri, do të vazhdojë të zëvendësojë ish strukturat paralele, megjithëse i nënshtrohet ndërhyrjes së lartë politike, ndërsa komunat dhe administrata e decentralizuar do të mbeten të dobëta për një kohë.
Edhe gjatë vitit 2018, thuhet në raport, mungesa e vullnetit politik dhe politizimi i lartë i strukturave shtetërore do të vazhdojë të pengojë luftën kundër korrupsionit, ndërsa do të vazhdojë kundërshtimi politik ndaj Gjykatës së Posaçme, përkundër kritikave diplomatike.