07 Maj 2024

Kosova po i kushton shumë Serbisë

Washington, 13 tetor - Wall Street Journal: përpjekjet e Serbisë, për të mbajtur Kosovën në përbërjen e saj, nga viti 1999 i ka kushtuar mbi 6 miliardë euro.

Pavarësisht lëvdatave që kanë shkuar nga Brukseli për Serbinë, Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit ka formalizuar të gjitha "kushtet gjermane" që kanë të bëjnë me Kosovën, shkruan gazeta "Blic". "Nëse duam në BE, duhet të harrojmë linjat tona të kuqe", konstaton gazeta.

Statusi i kandidatit është kushtëzuar me dialogun me Kosovën, ndërsa për marrjen e datës për fillimin e negociatave janë këto kushte: Kosovës t'i mundësohet pjesëmarrja në takimet rajonale, në duar të EULEX-it të lihet gjykata në veri të Kosovës, të zgjidhet çështja e telefonisë, energjisë elektrike dhe njohja e diplomave.

Ndërkaq gazeta tjetër "Danas" shkruan se "Brukseli ka konfirmuar: Evropa ose Kosova", duke cituar komisionerin Fyle të ketë thënë se "normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë dhe Kosovës, vendimtar për integrimin evropian" të Serbisë.

Edhe gazeta Wall Street Journal, ka publikuar një tekst, sipas të cilit përpjekjet e Serbisë, për të mbajtur Kosovën në përbërjen e saj, nga viti 1999 i ka kushtuar mbi 6 miliardë euro.

Kosova, fjala më e shtrenjtë serbe, që Serbisë i ka kushtuar katër luftëra të humbura, izolim ndërkombëtar dhe shkatërrim ekonomik, tash kërcënon humbjen e perspektivës evropiane të vendit, shkruan sot kjo gazetë.

Pas mbi 20 vjetësh që kur ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq i vuri zjarrin fuçisë ballkanike të barotit në përpjekjet që të ringjallë Kosovën si djep të kulturës serbe, kjo ish-krahinë, e cila shpalli njëanshëm pavarësinë më 2008, për Serbinë do të thotë pak, pos shpenzimeve, konsideron kjo e përditshme njujorkeze.

Në tekst rikujtohet se presidenti serb Boris Tadiq ka bërë me dije se qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë.

Gazeta konsideron se deklarata e Tadiqit se Serbia ka hapur dialogun që dëshiron ta vazhdojë dhe se dëshiron ta vazhdojë me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së pranueshme pr të gjithë ndoshta është për "përdorim të jashtëm".

Në këtë shkrim, i cili mbështetet në studimin e Qendrës beogradase për politika praktike, theksohet se tetë milionë qytetarë të Serbisë çdo sekondë shpenzojnë nga 16 euro për të mbajtur në gjirin serb Kosovën, përkatësisht se shpenzimet e përgjithshme nga viti 1999 kapin mbi gjashtë miliardë euro.

Presioni në rritje që Serbia të pajtohet me pavarësinë e Kosovës ka shtyrë disa politikanë serbë që të marrin qëndrim më radikal dhe të sugjerojnë që aleati do të duhej të kërkohej në Rusi dhe jo në BE, dhe se ky trend do të mund të përshpejtohet me afrimin e zgjedhjeve, vlerëson gazeta.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)