11 Janar 2025

Kosova nuk guxon të mbetet ishull i izoluar në mes të Evropës

Strasburg, 12 mars - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Strasburg, në një aktivitet të organizuar nga Unioni PanEuropa, ka mbajtur një ligjëratë me titull “Pesë vjet të shtetësisë së Kosovës: arritjet dhe sfidat”.

Para shumë personaliteteve, eurodeputetë, funksionarë të BE-së, ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medieve, ministri Hoxhaj fillimisht theksoi se Kosova viteve të fundit ka zhvilluar disa ndryshime substanciale pozitive dhe po ecën drejt proceseve shumë të rëndësishme politike.

Hoxhaj vuri në pah perspektivat e zhvillimeve në Kosovë, progresin e proceseve integruese në BE, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare e rajonale, rëndësinë e përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja dhe zhvillimet kryesore politike dhe socio-ekonomike në Kosovë.

Gjatë ligjëratës, Hoxhaj po ashtu ka prezantuar të arriturat e Kosovës në përmbylljen e procesit të njohjeve, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare  dhe konsolidimin e sovranitetit dhe personalitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ndër të tjera ka përmendur draft rezolutën e Parlamentit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke e vlerësuar të një rëndësie të veçantë faktin se në të iu bëhet thirrje pesë vendeve të BE-së që të njohin Kosovën dhe riafirmohen parimet kryesore në mbështetje të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës.

Lidhur me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Hoxhaj ka thënë se ky proces është hapi i fundit drejt njohjes së Kosovës nga Serbia.

Përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, në shtator 2012, ai e ka vlerësuar tregues të përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare nga Kosova dhe kapacitetin e plotë të saj që të funksionojë si një shtet i kompletuar, “i cili e ka autoritetin suprem legal dhe qytetar si dhe legjitimitetit demokratik që të qeverisë vendin dhe të marrë vendin e merituara në familjen e kombeve paqedashëse”.

Rreth proceseve integruese në BE, Hoxhaj theksoi rëndësinë e një politike të jashtme unike evropiane, duke shprehur besimin e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës në perspektivën evropiane.

“Rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane ka treguar progres të vazhdueshëm. Integrimi ynë në BE është prioritet dhe agjendë nacionale e jona. Megjithatë, ndarjet e brendshme në BE si dhe politikat komplekse të qasjes gjithëpërfshirëse shpesh kanë nënvlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin e përpjekjet e fuqishme të bëra për të përmbushur agjendën eurointegruese”, tha Hoxhaj, duke cekur edhe progresin konkret që është arritur në disa fusha në këtë proces.

Ai ka theksuar se Kosova nuk guxon të jetë një ishull i izoluar në mes të Evropës, duke kërkuar nga Brukseli liberalizimin e vizave dhe avancimin e procesit të nënshkrimit të Marrëveshjes së MSA-së, si dhe rritjen e përfshirjes së Kosovës në  programet zhvillimore të BE-së.

Në këtë ngjarje, nga një fjalë rasti kanë mbajtur disa deputetë të Parlamentit evropian.

Eurodeputetët kanë mbështetur qëndrimin e ministrit Hoxhaj se Kosova nuk mund të mbetet një ishull i izoluar në mes të Evropës, duke ofruar mbështetje për perspektiven evropiane të Kosovës.

Eurodeputeti Eduard Kukan, kryesues i delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për qasjen profesionale në procesin e njohjeve.

“Ju keni ndjekur një qasje shumë dinamike dhe profesionale për të bindur këto shtete që të njohin pavarësinë e Kosovës. Unë ju inkurajoj ju që të vazhdoni me këtë qasje profesionale dhe dinamike”, tha Kukan.

Ai po ashtu vlerësoi se janë të drejta kritikat ndaj Brukselit për izolimin e Kosovës.

“Fakti që populli i Kosovës nuk mund të jetë pjesë e kësaj lirie nuk është i mirë. Parlamenti ju përkrahë shumë dhe mund të llogarisni në mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Kukan.

Eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt po ashtu ka përgëzuar ministrin Hoxhaj për punën që po bën në forcimin e pavarësisë së Kosovë dhe dinamikën që i ka dhënë politikës së jashtme kosovare, duke ofruar përkrahjen e tij në këto procese.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)