Kosova ndjek me shqetësim katastrofën natyrore në Japoni
Prishtinë, 11 mars - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke ndjekur me brengosje rrjedhën e zhvillimeve të fundit në Japoni, pas katastrofës natyrore që ka goditur këtë shtet.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës pas marrjes së informatës për fatkeqësinë natyrore të ndodhur sot në Japoni, ka kontaktuar menjëherë Ambasadën e Kosovës në Tokio, për të siguruar informata rreth gjendjes së përgjithshme dhe në veçanti rreth gjendjes së shtetasve të Kosovës që jetojnë atje.
MPJ ka të evidentuar pesë shtetas të Kosovës që gjenden në Japoni, përfshirë Ambasadorin dhe dy zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.
Të gjithë shtetasit kosovarë të identifikuar janë jashtë zonave të rrezikut dhe janë nën përkujdesjen e Ambasadës së Kosovës në Tokio.
MPJ njofton të gjithë shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Japoni të kontaktojnë shtabin e krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; +377 44 355 292 ose në e-mail: [email protected]