Kosova mirëpret marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit
Prishtinë, 25 nëntor - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës mirëpret marrëveshjen e arritur më 24 nëntor në Gjenevë për programin bërthamor të Iranit.
Marrëveshja paraqet hapin e parë të rëndësishëm që do të ndalojë zhvillimin në elementet kyçe të programit bërthamor të Iranit dhe të sjellë ato nën kontroll më të ngushtë të inspektorëve ndërkombëtarë.
Me këtë marrëveshje, pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania kanë siguruar përgjegjshmëri më të madhe të programit bërthamor të Iranit përpara bashkësisë ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është optimiste se zbatimi i plotë i marrëveshjes do të ndihmojë të çojë drejt një zgjidhje të plotë që do të bëjë botën një vend më të sigurt, duke garantuar natyrën paqësore të programit bërthamor të Iranit.
Republika e Kosovës përshëndet ketë sukses të diplomacisë shumëpalëshe për programin bërthamor të Iranit dhe inkurajon të gjitha palët të mbesin të angazhuar për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme përmes dialogut.