Kosova merr pjesë në Social Good Summit
Prishtinë, 21 shtator - Social Good Summit është një ngjarje globale treditore që do të mbahet prej 22 deri më 24 shtator.
Në tërë botën, do të mblidhen palë të interesit të diskutojnë rreth temës së këtij viti: Si munden teknologjia e re dhe mediat e reja të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve në komunitetin tonë?
Me këtë rast, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të organizojë një tryezë të rrumbullakët ku do të diskutohet kjo temë.
Do të mblidhemi në zyret e UNDP-së këtë të shtunë, 22 shtator, në ora 11 për të biseduar si dhe sa po ndihmon teknologjia dhe mjetet e reja mediale në adresimin dhe tejkalimin e sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohemi në rrethin tonë.
Kemi ftuar përfaqësues të mediave, shoqërisë civile, organizatave humanitare, institucioneve kosovare, dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara që në një ambient joformal të bisedojmë dhe të shpalosim idetë, synimet dhe rezultatet tona.
Raporti nga kjo ngjarje do të dërgohet në New York ku edhe do të emetohet së bashku me raportet tjera që do të arrijnë nga vendtakimet në tërë botën.
Disa nga çështjet që do ti diskutojmë janë: fuqizimi i qytetarëve për të luftuar korrupsionin përmes mediave sociale; ngritja e llogaridhënies dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje në nivel komunal përmes mediave sociale; përdorimi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale për të menagjuar emergjencat, etj.