Kosova largoi Beogradin nga BE-ja
Lubjanë, 5 shtator - Sllovenia është e gatshme të ndihmojë Serbinë në përpjekjet e saj për marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian këtë vit, por Beogradit i është bërë me dije se fillimisht duhet të zgjidhë problemet me Kosovën.
Këtë deklaratë e ka thënë herë pas here kryeministri slloven Borut Pahor.
Zijad Beqireviç, nga Instituti për Studime Ballkanike në Lubjanë, i pyetur nëse ka informacione publike për ndërmjetësim të kryeministrit Pahor ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, , thotë:
Ai e bën një gjë të tillë, mirëpo pozicioni i tij në Bashkimin Evropian nuk është i fortë siç ka qenë para një viti, për shkak të situatës së brendshme. Deri në fund të këtij muaji, do të merret vesh fati i kësaj qeverie, sepse ajo do të shkojë në votëbesim. Këtë përkrahje, Beogradi duhet ta marrë me rezerva. Për Serbinë është më e rëndësishme ta ketë mbështetjen e vendeve kryesore, si: Gjermania, Franca, Britania dhe Italia. Por, prapëseprapë Serbia nuk është prioritet i tyre, për shkak të krizës ekonomike me të cilën përballen, thotë Beqireviç për Radion Evropa e Lirë.
Në pyetjen e njëjtë, përkatësisht si mund ta ndihmojë Lubjana Beogradin, edhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Jelko Kacin, përgjigjet me rezerva.
Sllovenia mund të bëjë çfarëdo, por esenca është në atë se çfarë do Serbia të pranojë. Si raportues, unë jam më së shumti i interesuar që secili shtet anëtar ta inkurajojë Serbinë dhe ta ndihmojë në rrugën e saj drejt BE-së, thotë Kacin.
Beogradi dukej se kishte kandidaturën evropiane në pëllëmbë të dorës deri në ndërprerjen e bisedimeve me Kosovën në korrik, përkatësisht deri në shpërthimin e krizës në veri.